Naser Pajazitaj i refuzon mbi 61 mijë euro dëmshpërblim nga KGjK-ja, pasi ai i kërkon mbi 1 milion

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK), ka vendosur që Naser Pajazitajn, i cili akuzohej për vrasjen e Donjeta Pajazitajt, ta dëmshpërblejë me 61 mijë e 777 euro e 16 centë, përkundër se i njëjti kishte kërkuar shumën prej 1 milion e 150 mijë e 985 euro, për privim nga liria pa bazë.

Këtë për “Betimi për Drejtësi” e ka konfirmuar Koordinatori i Njësisë për Çështje Ligjore, në KGjK, Astrit Hoti.

Mirëpo, i njëjti tha se ky vendim i KGjK-ës është refuzuar nga Naser Pajazitaj.

Po ashtu, i pakënaqur me këtë vendim u shpreh edhe mbrojtësi i Pajazitajt, avokati Ahmet Tahiri i cili për “Betimi për Drejtësi” tha këtë vendim e kanë refuzuar dhe tutje do të ushtrojnë padi në gjykatë.

Gjykata Supreme më 6 prill 2023, e ka liruar nga Naser Pajazitajn nga akuza për vrasjen e D.P., me arsyetimin se nuk ka prova të drejtpërdrejta që argumentojnë fajësinë e Pajazitajt.

Më 23 qershor 2022, Gjykata Themelore në Ferizaj, në rigjykim e kishte dënuar me dënim të përjetshëm Naser Pajazitajn, i akuzuar për vrasjen e D.P., në nëntor të 2015-ës.

Kundër këtij aktgjykimi, në Gjykatën e Apelit kishin parashtruar ankesë mbrojtësit e Pajazitajt, avokatët Gëzim Kollçaku dhe Ahmet Tahiri me pretendimin se ka shkelje esenciale, vërtetim të gabuar të gjendjes faktike dhe për shkak të vendimit mbi dënimin. Ndërsa, Prokuroria me parashtresë kishte propozuar që ankesa e mbrojtësve Kollçaku dhe Tahiri të refuzohet si e pabazuar, ndërsa aktgjykimi i ankimuar të vërtetohet.

Kurse, Gjykata e Apelit pas shqyrtimit të ankesave të mbrojtjes, kishte marrë vendim, me të cilin ia kishte ulur dënimin nga burgimi i përjetshëm, në 35 vjet burgim, Naser Pajazitajt.

Ky rast kishte marrë epilog dy herë në Gjykatën Themelore në Pejë, ku pas gjykimit të parë Pajazitaj ishte shpallur i pafajshëm, kurse pas gjykimit të dytë, ai ishte dënuar me burgim të përjetshëm. Por, në të dy rastet, aktgjykimet ishin anuluar nga Gjykata e Apelit, përkatësisht Gjykata Supreme dhe lënda ishte kthyer në rigjykim.

Ndërsa, më 27 maj 2021, Gjykata Themelore në Ferizaj, e kishte dënuar Pajazitajn me burgim të përjetshëm për vrasje të rëndë, kurse Gjykata e Apelit më 29 tetor 2021 këtë çështje e ktheu në rivendosje në Gjykata Themelore në Ferizaj.

Fillimisht, Gjykata Themelore në Pejë, në mars të vitit 2018, të akuzuarin Naser Pajazitaj, në mungesë të provave e kishte liruar nga akuzat për vrasjen e D.P., por pas ankesës së prokurorisë, Gjykata e Apelit e kishte kthyer këtë lëndë në rigjykim.

Pas kthimit në rigjykim, Gjykata Themelore në Pejë, në mars të vitit 2019, e kishte shpallur fajtor të akuzuarin dhe e kishte dënuar me burgim të përjetshëm. Ky dënim ishte vërtetuar pastaj edhe nga Gjykata e Apelit në korrik të vitit 2019.

Por, në nëntor të vitit 2019, Gjykata Supreme i kishte prishur të dy aktgjykimet e Gjykatës Themelore në Pejë dhe të Gjykatës së Apelit dhe lëndën e kishte kthyer në rigjykim.

Pas kthimit të rastit në rigjykim, Gjykata Themelore në Pejë ishte përjashtuar nga ky rast dhe lënda ishte deleguar në Gjykatën Themelore në Ferizaj, me arsyetimin për të mënjanuar dyshimet ndaj sistemit të drejtësisë. Vendimi për delegimin e lëndës në Ferizaj ishte marrë nga Gjykata e Apelit.

Gjykata Themelore në Ferizaj, më 27 maj 2021, e kishte dënuar Pajazitajn me burgim të përjetshëm për vrasje të rëndë. Më pas, Apeli e ka kthyer çështjen në rigjykim.

Sipas aktakuzës së ngritur më 8 qershor 2017 nga prokurorja Valbona Disha- Haxhosaj, Naser Pajazitaj akuzohej se më 9 nëntor 2015, në bjeshkët e Strellcit, Komuna Deçan, e pikërisht në vendin e quajtur te “Kroni i Lajthisë”, i pandehuri edhe pse më parë ka qenë i dënuar për vrasje, me dashje dhe me armë dhe atë revole të tipit të panjohur në mënyrë mizore e ka privuar nga jeta viktimën D.P., nga po i njëjti fshat.

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here