Musliu: Pezullimi i dialogut nga SHBA nuk është as prishje e raporteve dhe as dobësim i aleancës me Kosovën

Eksperti i sigurisë dhe themeluesi i Institutit “Octopus”, Agim Musliu, ka komentuar vendimin e Shteteve të Bashkuara për pezullimin e Dialogut Strategjik me Kosovën, duke thënë se ky veprim nuk paraqet as prishje të raporteve dhe as dobësim të aleancës mes dy vendeve.

“Pezullimi i përkohshëm i dialogut strategjik Kosovë–ShBA nuk është as prishje e raporteve dhe as dobësim i aleancës sonë – janë gjëra që ndodhin mes partnerëve. Marrëdhëniet Kosovë–ShBA kurrë s’kanë qenë më të forta: Amerika është mbështetësja më e madhe e sovranitetit tonë, ndërsa Kosova ka popullin më pro-amerikan në botë,” ka shkruar Musliu.

Ai theksoi se përveç bashkëpunimit politik dhe diplomatik, Kosova ka marrëveshje konkrete me SHBA-në për pajisje ushtarake moderne, përfshirë helikopterët Black Hawk, raketat Javelin, autoblindat dhe dronët Puma, si dhe programe të përbashkëta trajnimi me Gardën Kombëtare të Iowas.

Musliu shtoi se aleanca Kosovë–SHBA shtrihet edhe në fushën e energjisë dhe sigurisë kibernetike, duke e cilësuar atë si “të përhershme, të pathyeshme dhe të palëkundur”.

“Kosova dhe ShBA mbeten të rreshtuara krah për krah, duke mbështetur edhe Ukrainën në luftën për liri – një dëshmi se aleanca jonë është e përhershme, e pathyeshme dhe e palëkundur,” përfundoi ai.

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME