Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka deklaruar se çka është shkatërruar për 20 vjet “mund të rregullohet për një mandat”, duke i reaguar deputetit të PDK-së, Mërgim Lushtaku që foli për qeverisjen Kurti.
Murati ka thënë të hënën para deputetëve gjatë kësaj qeverisjeje ka pasur rritje dyshifrore të të hyrave buxhetore, e sipas tij, në të kaluarën ka pasur rritje vetëm dy herë.
“Nëse e shikojmë dekadën kur ju keni qeverisur, janë vetëm dy vjet kur ka pasur rritje të të hyrave buxhetore. Të vetmet raste kur ju keni pas rritje dyshifrore të të hyrave buxhetore janë kur i keni rritur taksat në barrë të qytetarëve”, është shprehur Murati.
Ministri ka shtuar se ka pasur dyfishim të eksportit gjatë këtij mandati.“Vetëm një ish-kryeministër që nuk ka bërë asgjë mund të thotë se ndikimi është zero i shtesave për fëmijët. Nuk ndaj mendimin me ju që ndikimi i këtyre masave është zero. Pyetni ato gra për ndikimin. A e shohim sa investime kapitale keni bo ju nëse e përjashtoni autostradën… asnjë vit për mbi 200 milionë euro s’ka kaluar…Sa i përket rritjes ekonomike, më lejoni të them që përkundër sfidave globale, ekonomia asnjëherë nuk ka ra nën 4 për qind rritje. Për juve 4 për qind ka qenë mesatarja në kushte normale. Rritja 3-4 për qind që e keni pas ju është për shkak të deficitit”, ka shtuar Murati.
Ai ka theksuar se rritja ekonomike vjen si rezultat i investimeve.