Viktima të shumta besohet të ketë shkaktuar një sulm në një sallë koncertesh në Krasnogorsk, pranë Moskës.
Disa persona dyshohet të kenë hapur zjarr në sallën Crocus City Hall, përpara fillimit të një koncerti të grupit muzikor, Piknik.
Raportet e mediave flasin për “viktima të shumta” dhe shpërthime të mundshme.
Pamjet e shpërndara në rrjetet sociale tregojnë zjarr dhe shtëllunga tymi mbi ndërtesën e sulmuar.
RIA-Novosti raportoi se së paku tre persona të armatosur ishin të përfshirë dhe tha se ata duket se kanë hapur zjarr me pushkë automatike.
Interfax raportoi se ishin së paku pesë sulmues.
Salla është një vend i njohur koncertesh, ku mbahen ndër aktivitetet më të njohura ruse.
Sipas mediave ruse, dhjetëra autoambulanca janë tashmë në vendngjarje.
“Një tragjedi e tmerrshme ndodhi sot në Crocus City”, citoi Reuters kryebashkiakun e Moskës, Sergei Sobyanin. “Më vjen keq për të dashurit e viktimave”, tha ai.
Më 7 mars, Ambasada e SHBA-së në Moskë lëshoi një alarm sigurie, pasi, siç tha, mori raporte se “ekstremistët kanë plane për të sulmuar tubime të mëdha në Moskë, përfshirë koncerte”.
Në atë kohë, qytetarët amerikanë u këshilluan “t’i shmangin grumbullimet e mëdha gjatë 48 orëve të ardhshme”. (REL)