Ish-diplomati i lartë amerikan, Jonathan Moore, ka deklaruar se nuk sheh asnjë rrezik real për një sulm ushtarak nga Serbia ndaj Kosovës, duke theksuar se prania e NATO-s dhe KFOR-it është një faktor kyç që garanton sigurinë.
Në një intervistë për A2 CNN, Moore theksoi se situata aktuale nuk e favorizon tensionin ushtarak:
“Unë nuk parashikoj asnjë lëvizje apo manovër ushtarake nga Serbia. Serbia është shumë e ndërgjegjshme për rolin e NATO-s dhe KFOR-it në Kosovë,” u shpreh ai.
Ai ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara nuk do të lejojnë shpërthimin e një konflikti të ri në rajon, derisa ka komentuar deklaratën e fundit të presidentit amerikan, Donald Trump, rreth marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.
“Presidenti Trump e ka bërë të qartë që ai nuk do të shohë konflikte të tjera në botë. Nëse do të këtë ndonjë konflikt, të jeni të sigurt se SHBA-të do të gjejnë mënyrën për t’u angazhuar dhe për ta parandaluar. SHBA-ja nuk është e interesuar në konflikte që vazhdojnë pafundësisht pa ndonjë përfundim të qartë, ose pa ndonjë qëllim të qartë”.
Ai shtoi se mungesa e stabilitetit politik në Prishtinë e pengon përparimin: “Kosova nuk ka parlament të ri, nuk ka kryetar kuvendi dhe opozita nuk po bashkohet. Me shumë gjasa do të ketë zgjedhje në tetor, por deri atëherë nuk shoh projekt serioz për dialogun.”
Moore theksoi se pavarësisht krizës politike, nuk ka vend për panik: “KFOR-i është aty dhe nuk do të ketë luftë.”