Një 21-vjeçare nga Universiteti i Kentucky, Laken Snelling, u arrestua dhe akuzohet për abuzim, manipulim të provave fizike dhe fshehje të lindjes, pasi u zbulua se kishte lindur foshnjën dhe më pas trupin e futi në një dollap.
Foshnja u gjet e vdekur në vendngjarje, e futur në një qese të zezë plehrash.
Policia u lajmërua mëngjesin e së mërkurës në një shtëpi në Park Avenue, Lexington, pas një raporti për një foshnjë të pajetë.
Foshnja u shpall e vdekur në orën 10:30 të mëngjesit. Sipas urdhrit të arrestit, trupi i të porsalindurit ishte mbështjellë me një peshqir dhe futur në një qese plehrash.
Snelling pranoi lindjen dhe tha se e kishte fshehur duke pastruar çdo provë, përfshirë sendet e përdorura të pastrimit, të cilat i vendosi bashkë me trupin në qesen e zezë. Ende nuk është përcaktuar shkaku i vdekjes nga Zyra e Mjekut Ligjor të Qarkut Fayette.
Snelling është studente në Universitetin e Kentucky-t, në programin e Studimeve Ndërdisiplinore të Aftësisë së Kufizuar dhe anëtare e ekipit të akrobacive STUNT prej tre vitesh.
Ajo është gjithashtu pjesëmarrëse në konkurse bukurie, me një prani aktive në rrjetet sociale, ku në qershor kishte ndarë një video duke thënë se ëndrra e saj ishte të bëhej nënë dhe të krijonte familje.
Aborti është pothuajse plotësisht i ndaluar në Kentucky që nga viti 2022, me përjashtime vetëm për raste kur rrezikohet jeta ose organi jetësor i gruas. Snelling ndodhet në paraburgim në Qendrën e Paraburgimit të Qarkut Fayette, ndërsa hetimet po vazhdojnë nga Seksioni i Viktimave Speciale i Policisë së Lexingtonit.