Nuk janë të pakët mjekët kosovarë, të cilët kanë arritur suksese të jashtëzakonshme në profesionin e tyre jashtë vendit.
Njëri ndër ta është dhe Dr.Franë Marleku nga Klina, I cili për herën e dytë me radhë, në Zagreb të Kroacisë, ka marrë çmimin si radiologu më i mirë i vitit.
Dr. Franë Marleku i cili punon si specialist i radiologjisë në Qendrën Klinike “Motrat e Mëshirës”, në Poliklinikën “Peric-Stanicic”, këtë çmim e mori bazuar në vlerësimin e pacientëve.
Marleku i cili është specialist i radiologjisë dhe nën specialist i Ultrazërit, në një intervistë për “IndeksOnline“, thotë çmimin të cilin e mori për të dyten herë me radhë, e bënë të ndihet shumë mirë dhe e bënë krenar.
“Ndihem shumë mirë si shiptar të zgjedhem mjeku më i mirë në fushën e radiologjisë, në mesin e shumë mjekëve . Kjo është një e arritur e madhe, por për ne është bërë diçka normale. Kjo më bënë të ndihem krenar. Respekti që kam në punë dhe në mesin e kroatëve dhe shqiptarëve, nga të cilët marrë respekt, mua më bënë krenar, por dhe më jep obigim që me qëndru i thjeshtë, karshi tyre”, thotë Marleku.
Por sukseset e tij nuk ndalen me kaq. Ai gjatë këtij viti është zgjedhur mësimdhënës, si asistent shkencor në Fakultetin e Mjekësisë, pranë Universitetit katolik në Zagreb.
“Kjo për mua është një satisfaksion. Sakrifica dhe mundi i madh që kam bërë, po shpërblehet. Çdo përkushtim në fund jep rezultate. Nuk është problem të ngritesh në maje, problem është të qëndrosh lartë. Kjo është punë që kërkon angazhim më të madh. Do të mundohem me qëndru aty ku jam”, thotë Marleku.
Megjithë sukseset që ka arritur ndër vite në Kroaci, ai thotë se është i gatshëm të vjen në Kosovë, të mbajë trajnime për mjekët radiolog, në mënyrë që përvojat nga Kroacia t’i sjell këtu.
E këtë siç thotë ai do ta bënte me dëshirën me të madhe, pasi që kontributi për vendin nga ai vjen, për të nuk ka çmim.
“Isha në pranverë në takim me ministrin, biseduam dhe u morëm vesh që të mbajmë një seri të ligjeratave për radiologji në Kosovë. Me ardh një javë apo sa të jetë nevoja me mbajtë mësim në Kosovë. Interesi është i madh me mbajt praktikën për punët që unë i kryej për ultrazë dhe biopsi të gjirit. Interesi është i dyanshëm. Kosova, posaçërisht QKUK-ja kanë nevojë për përvojat nga Zagrebi. Jam i gatshëm, është diçka që nuk ka çmim, nuk ka kushte. Nga ana ime absolut nuk ka asnjë kusht. Mjafton të merremi vesh dhe të fillojmë diçka. Besojë që kishte pas mundësi që dhe përvojat e mjekëve tjerë nga spitali ku punoj unë me organizu me QKUK-në dhe Ministrinë dhe radiologë me ardh me mbajt ligjerata trajnime, me qëllim që mjekët nga Kosova të mos vijnë në Zagreb. Por ne të vijmë të mbajmë trajnime atje”, thotë Marleku.