Një zyrtare policore sot është plagosur aksidentalisht nga kolegu i saj në vendin e punës.
Tashmë gjendja e saj është stabile dhe e njëjta është dërguar në Ortopedi, për shkak se copa e gëzhojës së plumbit e ka prekur në këmbë.
Kështu ka bërë të ditur për Tëvë1, mjeku kujdestar Naser Syla.
Ndërkaq, Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka bërë të ditur se bëhet fjalë për një incident-shkrepje aksidentale të armës së zjarrit në objektin e Stacionit Policor Jugu në Prishtinë.
Gjithashtu, zyrtari policor që shkaktoi aksidentin është suspenduar.
“Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se si pasojë e shkrepjes aksidentale një copë e gëzhojës së plumbi ka plagosur një zyrtare policore në këmbë dhe e njëjta është transportuar menjëherë për trajtim mjekësor. Lidhur me rastin, është njoftuar edhe prokurori i shtetit, i cili do të udhëheqë hetimet e mëtejshme në bashkëpunim me Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK). Arma e zjarrit është konfiskuar, ndërsa zyrtari policor që shkaktoi aksidentalisht shkrepjen është suspenduar. Hetuesit e IPK-së pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të të gjitha rrethanave të këtij rasti”, thuhet në njoftim