Shkencëtarët e Universitetit të St Andrews në Skoci kanë bërë një zbulim të rëndësishëm: pjesët e nxehta të shpërthimeve diellore mund të jenë deri në 6.5 herë më të nxehta sesa mendohej më parë. Ky zbulim zgjidh një mister që ka shqetësuar shkencëtarët prej 50 vjetësh rreth yllit tonë më të afërt.
Çfarë janë shpërthimet diellore?
Shpërthimet diellore janë shpërthime të papritura dhe masive energjie që ndodhin në atmosferën e jashtme të Diellit. Këto ngjarje e nxehin diellin në temperatura mbi 10 milionë gradë Celsius. Ato rrisin ndjeshëm sasinë e rrezeve X dhe rrezatimit diellor që arrin Tokën, duke paraqitur rrezik për anijet kozmike dhe astronautët, si dhe duke ndikuar në atmosferën tonë të sipërme.
Sipas kërkimit të publikuar në revistën “The Astrophysical Journal Letters”, shkencëtarët shikuan se si shpërthimet diellore ngrohin plazmën diellore.
Kjo plazmë përbëhet nga grimca të ngarkuara me elektricitet, të quajtura jone dhe elektrone. Hulumtimi i ri tregon se jonet (grimcat pozitive) mund të arrijnë temperatura mbi 60 milionë gradë, shumë më tepër se elektronet.
Shkencëtarët, të drejtuar nga Dr. Alexander Russell, kuptuan se një proces i quajtur rikonjeksion magnetik ngroh jonet rreth 6.5 herë më shumë se elektronet. Ky duket të jetë një rregull universal që është vërtetuar edhe në hapësirën pranë Tokës.
Dr. Russell shpjegoi se më parë mendohej se jonet dhe elektronet duhet të kishin të njëjtën temperaturë. Por, duke ripërllogaritur të dhënat, ata zbuluan se diferenca e temperaturës mund të zgjasë për dhjetëra minuta në pjesë të rëndësishme të shpërthimeve diellore.
Ky zbulim ofron një zgjidhje për një pyetje të vjetër që daton që nga vitet 1970: Pse linjat spektrale (ngjyrat e dritës) në shpërthimet diellore janë më të gjera se sa pritej? Për afro 50 vjet, mendohej se kjo ndodhte për shkak të lëvizjeve turbulente. Por, studimi i ri sugjeron se temperatura jashtëzakonisht e lartë e joneve mund të shpjegojë këtë gjerësi. / Korrespodenti