Qeveria e Kosovës ka miratuar sot Projektligjin për masat e përkohshme për produktet themelore, i njohur si Projektligji për çmimet tavan.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti tha se me miratimin e Projektligjit për çmimet tavan nuk po pengojnë rritjen e askujt, por po evitojnë keqpërdorimin në emër të krizave, fryrjen artificiale të çmimeve.
“Po e ri-sjellim për miratim këtë projektligji që vjen si përgjigje e domosdoshme ndaj një realiteti që qytetarët tanë e kanë përjetuar, rritjen e papritur të çmimeve, paqartësi në treg dhe mungesë e mekanizmave efektiv për mbrojtje… Me këtë projektligj ne nuk po hyjmë në tregun e lirë, por përkundrazi po e mbrojmë lirinë e tregut nga abuzimi”, tha Kurti.
Ai tutje shtoi se ky Projektligj vendos një balanc të domosdoshme ndërmjet funksionimit të lirë të tregut dhe përgjegjësisë së shtetit për të mbrojtur interesin publik në situata të jashtëzakonshme.
Sipas tij, ky Projektligj krijon instrumente të qarta për ndërhyrje të përkohshme, duke shmangur deformimet afatgjate të tregut.
Tutje, kryeministri i vendit tha se ky Projektligj po ashtu garanton furnizim dhe çmime të përballueshme për produkte bazë në kohë krize, parandalon spekulimet dhe fitimet e pajustifikuara në kurriz të qytetarëve dhe më tej siguron reagim të shpejtë institucional kur tregu destabilizohet.Ndryshe, ky projektligj ishte miratuar më parë edhe në Kuvendin e Kosovës, por ishte dërguar nga opozita në Gjykatën Kushtetuese.
Gjykata Kushtetuese e kishte shpall antikushtetues Ligjin për çmimet tavan për produktet bazë.
Me këtë rast, Qeveria këtë herë e ka risjellë për miratim me plotësimet e nevojshme.
