Këtë javë, Presidenti rus Vladimir Putin pati një mesazh të qartë për Ukrainën dhe aleatët e saj europianë: “Moska mund të vazhdojë rrugën e nisur, sepse ne kemi miq të fuqishëm”.
Shefi i Kremlinit u shfaq në krah të liderit kinez Xi Jinping, kryeministrit indian Narendra Modi, presidentit iranian Masoud Pezeshkian dhe Kim Jong-un të Koresë së Veriut.
Më shumë se tre vjet pas asaj që Putini dikur mendonte se do të ishte një marrje shumë e shpejtë nën kontroll e Ukrainës së dobët fqinjë, është e qartë, thotë CNN, se Rusia nuk do të kishte qenë në gjendje ta përballonte luftën pa paratë kineze dhe ato indiane, pa armët e Iranit në një masë më të vogël, fuqinë punëtore nga Koreja e Veriut.
Rrjeti i famshëm televiziv amerikan këmbëngul megjithatë se mesazhet samiti dhe parada masive ushtarake e organizuar nga Kina, shkojnë përtej luftës së Ukrainës. Udhëheqësit që u mblodhën në Kinë mund të mos bien dakord për gjithçka, e disa prej tyre mund edhe të mos e pëlqejnë shumë njëri-tjetrin.
Por në këtë moment, vazhdon CNN, ata po shohin të hapet një dritare për t’i dhënë fund dominimit perëndimor në skenën globale. Dhe Europa druhet se mund të jetë në vijën e zjarrit.
Këto zhvillime, sipas shkrimit, ofruan një kujtesë të fortë vizuale se përse kontinenti i vjetër duhet të rishqyrtojë sigurinë e vet.
Europa, thuhet me tej, është përpjekur me forcë këto vitet e fundit të izolojë udhëheqësin e Rusisë dhe të shkatërrojë ekonominë e saj, e ndërkohë po pajtohet dhe me faktin që SHBA-ja mund të mos jetë më aleati të cilit mund t’i drejtohet gjithmonë.
Putin nga ana tjetër, riafirmojë miqësinë me disa prej liderëve më të fuqishëm në botë. Dhe Trumpi, sipas CNN-it, e mori mesazhin, ndaj edhe i shkroi me ironi presidentit Xi Jinping: “Të lutem përcilli urimet e mia më të mira Vladimir Putinit dhe Kim Jong Unit, ndërsa komplotoni kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.