Një akt heroik i kryer nga futbollisti i Sampdorias, Alessandro Bellomo, ka bërë që një ngjarje e rëndë të mos kishte pasojë tragjike. Mesfushori italian i shpëtoi jetën një turisteje polake 34-vjeçare, e cila u sulmua dhe u godit me thikë në rrugët e Chioggia-s, në Veneto.
Ngjarja ndodhi natën e së martës, kur një 25-vjeçar me probleme mendore sulmoi gruan që po nxirrte qenin për shëtitje. Sulmuesi e qëlloi disa herë me thikë, duke i shkaktuar plagë serioze. Klithmat e saj u dëgjuan nga Bellomo dhe vëllai i tij Stefano, të cilët ndodheshin në shtëpi.
Pa humbur kohë, ata dolën menjëherë në rrugë dhe gjetën turisten të shtrirë në tokë. “E shoqëruam pothuajse deri në shtëpinë tonë,” tregoi Stefano. “Thirrëm ndihmën e shpejtë falë edhe komshinjve që komunikuan me të në gjermanisht. Ajo ishte e ndërgjegjshme në disa momente dhe kërkonte qenin.”
Ndërhyrja e shpejtë e futbollistit dhe familjarëve të tij bëri të mundur që viktima të transportohej në spital në kohë. Për fat të mirë, mjekët konfirmuan se ajo është jashtë rrezikut për jetën. Edhe qeni i saj u gjet shëndoshë e mirë, ndërsa autoritetet arrestuan agresorin, i cili tashmë ndodhet nën kujdesin e policisë.
Bellomo, i cili aktualisht aktivizohet me Sampdorian në Serie B, është vlerësuar si hero nga komuniteti lokal për guximin dhe humanizmin e treguar. Ngjarja ka marrë jehonë në mediat italiane, duke treguar edhe një herë se futbollistët, përtej fushës së lojës, mbeten pjesë aktive e jetës dhe solidaritetit në shoqëri.