Zyrtarë izraelitë e cilësojnë retorikën e Ankarasë “të padurueshme”. Aleanca Izrael-Greqi-Qipro në Mesdhe konsiderohet “problem strategjik” për Turqinë, Trump mund ta frenojë Erdoganin, por deri tani po vepron me kujdes…
Izraeli dhe, veçanërisht, Benjamin Netanyahu, kanë qenë kohët e fundit pothuajse çdo ditë në qendër të axhendës së Recep Tayyip Erdoganit, për shkak të operacioneve të shumta dhe fronteve që Tel Avivi ka hapur në Lindjen e Mesme kundër shteteve dhe organizatave me të cilat Ankaraja mban marrëdhënie të ngushta.
Pasi ka cilësuar në raste të ndryshme sulmet ndaj objektivave në Iran, Palestinë dhe Bregun Perëndimor si goditje kundër të gjithë botës myslimane, Erdogan e përshkallëzoi sërish retorikën e tij gjatë kësaj jave, duke deklaruar se veprimet izraelite në Siri dhe Liban përbëjnë një kërcënim të drejtpërdrejtë për Turqinë.
Deklarata e presidentit turk vjen në një periudhë kur marrëdhëniet mes Ankarasë dhe Tel Avivit vazhdojnë të përkeqësohen, pasi interesat e dy vendeve përplasen në një sërë frontesh të rëndësishme gjeopolitike, nga Siria deri në Mesdheun Lindor.
Nga ana e tij, Benjamin Netanyahu nuk heshti dhe reagoi me gjuhë të ashpër, duke e cilësuar presidentin turk si një “diktator antisemit” që “nuk duhet t’i japë leksione morali Izraelit”.
Ndërkohë, në mes të kësaj përplasjeje qëndron Donald Trump, i cili, duke ruajtur marrëdhënie të mira (edhe pse herë pas here të tensionuara) me të dy liderët, u pyet në Shtëpinë e Bardhë nëse shqetësohet për një përballje të mundshme mes Ankarasë dhe Tel Avivit. Trump shmangu një përgjigje të drejtpërdrejtë, duke thënë se nuk kishte dëgjuar deklaratat e fundit të Erdoganit, të cilin e quajti “mik shumë të mirë” dhe “udhëheqës të madh”, për të shtuar se “nuk do të ndodhë asgjë me Turqinë, pasi unë e respektoj atë dhe ai më respekton mua”.
Marrëdhëniet mes Turqisë dhe Izraelit ndodhen në pikën më të ulët të dy viteve të fundit, ndërsa deklaratat e fundit të Erdoganit konsiderohen nga analistët si një hap i ri drejt përshkallëzimit. Edhe pse dy vendet nuk janë në konflikt ushtarak, përplasja e interesave po bëhet gjithnjë e më e dukshme.
“Ndodhemi në një situatë konflikti të vazhdueshëm. Turqia përbën një sfidë shumë të madhe për Izraelin”, deklaroi një burim izraelit për rrjetin televiziv N12, duke shtuar se retorika turke ka tejkaluar tashmë kufijtë e një përballjeje të zakonshme diplomatike.
“Ajo është bërë e padurueshme”, tha ai.
I njëjti burim vlerëson se Ankaraja nuk dëshiron një përplasje të drejtpërdrejtë ushtarake me Izraelin, veçanërisht si anëtare e NATO-s, por disponon mjete të tjera presioni.
“Fjalët e Erdoganit nuk janë krejtësisht të reja. Ato janë të vjetra dhe përsëriten vazhdimisht”, tha burimi izraelit, duke shtuar se Turqia nuk ka interes të përfshihet në një konflikt rajonal me Izraelin, aq më tepër si anëtare e NATO-s, por ka mënyra të tjera për të vepruar kundër Jerusalemit.
“Erdogani ka mënyra për t’u përballur me Izraelin. Në aspektin ekonomik ka ndalur tregtinë. Në arenën ndërkombëtare, kudo që turqit mund të na godasin, ata e bëjnë këtë”.
Siria në qendër të përplasjes
Gjatë fjalimit të tij në Asamblenë Kombëtare të Turqisë, Erdogan deklaroi se operacionet izraelite në Siri dhe Liban kanë arritur në një pikë ku ndikojnë drejtpërdrejt në sigurinë e Turqisë.
Siria përbën një zonë me rëndësi strategjike për Ankaranë, e cila synon të ruajë një rol vendimtar në zhvillimet pas rrëzimit të regjimit të Assadit dhe ngritjes së forcave të reja politike në vend.
Presidenti dhe themeluesi i Institutit Izraelit për Politikën Rajonale “Mitvim”, Nimrod Goren, shpjegon se Turqia e konsideron Sirinë pjesë të sferës së saj të ndikimit dhe kërkon të ruajë lidhje të forta varësie me Damaskun.
“Turqia e konsideron Sirinë si sferën e saj të ndikimit dhe do të donte ta kishte si një lloj ‘motre të vogël’, si një protektorat, diçka që sirianët nuk e dëshirojnë domosdoshmërisht”, tha ai.
Goren shtoi se në të kaluarën Izraeli dhe Turqia kishin arritur të koordinojnë “vijat e kuqe” në Siri për të shmangur përplasjet, por kohët e fundit tensioni është rritur ndjeshëm.
Qasja e Ankarasë ndaj Libanit është e ndryshme. Sipas Gorenit, Libani nuk përbën tradicionalisht zonë të ndikimit turk, ndërsa Hezbollahu nuk mban marrëdhënie të afërta me Erdoganin.
Sipas tij, presidenti turk po “shfrytëzon” situatën e krijuar në Liban, ku Izraeli ka kufizuar veprimet e tij për shkak të presionit amerikan, ndërkohë që përballet edhe me kritika të forta ndërkombëtare për aktivitetet e tij atje.
Mesdheu Lindor si fushë rivaliteti
Përveç Sirisë dhe Libanit, Erdogan drejtoi kritika edhe ndaj lëvizjeve izraelite në Mesdheun Lindor.
“Po shohim iniciativa të udhëhequra nga Izraeli në Mesdheun Lindor. Askush nuk duhet të kërkojë aventura në rajon. Përgjigjja jonë do të jetë e qartë dhe e fuqishme nëse shkelen të drejtat e turqve dhe turko-qipriotëve”, deklaroi ai.
“Mesdheu Lindor është një fushë shumë më e vështirë për ne dhe për turqit”, tha burimi izraelit për N12, duke shtuar “nga këndvështrimi turk ekziston një konflikt i hapur me Greqinë në Mesdheun Lindor lidhur me sovranitetin mbi ishujt dhe zonat detare, ndërsa Turqia disponon kapacitete shumë të fuqishme detare”. Sipas tij, çështja e Qipros mbetet me rëndësi jetike për Ankaranë.
Këto zhvillime lidhen drejtpërdrejt me forcimin e marrëdhënieve mes Izraelit, Greqisë dhe Qipros. Në fund të vitit 2025, liderët e tre vendeve u takuan në Izrael dhe njoftuan thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit politik dhe mbrojtës, një zhvillim që Ankaraja e ndjek me shqetësim të madh.
“Turqia po kupton se arkitektura që po formohet në Mesdheun Lindor pas luftës është një mekanizëm që përdoret kundër saj. Për këtë arsye përpiqet të demonstrojë forcën e saj në rajon”, tha eksperti, duke e cilësuar aleancën trepalëshe si një “problem strategjik” për Turqinë.
Megjithatë, burimi izraelit theksoi se në asnjë prej fronteve nuk pritet një përshkallëzim në nivel ushtarak.
“Nëse shqyrtojmë spektrin e mundësive dhe rreziqeve, ai është më i madh në Mesdheun Lindor sesa në Siri dhe Liban”, tha ai.
Sipas të njëjtit burim, pikërisht në këtë front ekziston mundësia më e madhe që një gabim ose incident i papritur të çojë në përshkallëzim të tensioneve.
Ambiciet e Erdoganit dhe faktori Trump
Gjatë viteve të fundit, Erdogan është përpjekur ta shndërrojë Turqinë në fuqinë dominuese rajonale. Në këtë kuadër, Izraeli shihet nga Ankaraja si rival, por edhe si një mjet për të forcuar pozitën gjeopolitike të Turqisë.
“Është pjesë e politikës së Turqisë që të diferencohet nga vendet e tjera arabe dhe të paraqitet si shteti më vendimtar dhe më aktiv kundër Izraelit”, tha Goren.
Ai shpjegoi se kjo strategji synon forcimin e pozicionit të Turqisë në rajon. Njëkohësisht, deklaratat e Erdoganit u drejtohen edhe votuesve të tij brenda vendit, shumica e të cilëve mbajnë qëndrime armiqësore ndaj Izraelit.
Në të njëjtën kohë, rol të rëndësishëm luan edhe marrëdhënia mes Ankarasë dhe Uashingtonit. Sipas vlerësimeve izraelite, pozita e Erdoganit forcohet nga marrëdhëniet e mira që ai mban me presidentin amerikan Donald Trump.
“Erdogani varet në masë të madhe nga amerikanët. Burimi i forcës së tij është besimi që i tregon Trumpi”, tha burimi izraelit.
Ai vlerësoi se përshkallëzimi retorik i liderit turk do të vazhdojë, por nuk do të çojë domosdoshmërisht në ndryshim real të politikës.
“Amerikanët mund ta kufizojnë lehtësisht ashpërsinë e retorikës turke. Por sa kohë që nuk vendosin vija të kuqe, retorika e padurueshme do të vazhdojë dhe do të intensifikohet”, u shpreh ai. /Përshtati Pamfleti
