Publicisti, Kim Mehmeti ka deklaruar se kryeministri në detyrë, Albin Kurti aktualisht është “jashtë gjithë konkurrencave” në skenën politike të Kosovës dhe se nuk pret një përballje politike mes tij dhe ish-presidentes, Vjosa Osmani në zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit.Mehmeti ka thënë se Osmani “do ta ketë një betejë me vetveten”, për të dëshmuar se e meriton rikthimin në Lidhjen Demokratike të Kosovës.
“Unë mendoj se Albin Kurti është jashtë gjithë konkurrencave brenda Kosovës dhe është mirë që është kështu. Nuk do të ketë aspak betejë mes ish-presidentes Vjosa Osmani dhe Kurtit. Ish-presidentja do ta ketë një betejë me vetveten për të dëshmuar se e ka merituar të shkojë në atë parti”, ka deklaruar ai.
Sipas tij, disa anëtarë të LDK-së me të drejtë mund të ndihen të anashkaluar, pasi kanë kontribuar për vite me radhë në parti, që nga koha e ish-presidentit, Ibrahim Rugova, ndërsa tani përballen me rikthimin e figurave që pretendohet se sjellin më shumë vota.
“Pikë së pari, unë mendoj që disa njerëz aty me të vërtetë duhet të jenë të irrituar, sepse ata kanë qëndruar, kanë kontribuar dhe kanë punuar aty.
Nuk mund të vish tani dhe të thuash: ‘shiko, e solla unë këtë që do të sjell shumë vota’. Nuk mund t’i mohoni ata që, që nga koha e ish-presidentit historik Ibrahim Rugova, kanë kontribuar dhe gjithmonë kanë mbetur besnikë, edhe kur kanë qenë të pakënaqur, sepse edhe kështu maten gjërat”, është shprehur Mehmeti në Tëvë1.
