Shoferi i automjetit në të cilin ndodhej i dyshuari për vrasjen e policit serb, në Loznicë të Serbisë, është arrestuar raportojnë mediat atje.
Sipas Ministrisë së Brendshme Serbe, i dyshuar për vrasjen e policit serb është Artan Hajrizi, 33 vjeçar, shtetas i Kosovës. Sipas raportimeve, në vendin e ngjarjes është gjetur një pasaportë e Kosovës dhe një letërnjoftim i Gjermanisë, transmeton Reporteri.net.
Prokuroria e Lartë Publike në Shabac ka njoftuar se shoferi i automjetit është ndaluar për 48 orë nën dyshimin për veprën penale “kalim ilegal i kufirit shtetëror dhe kontrabandë me njerëz”.
Forca të shumta policore janë në kërkim intensiv të autorit. Kërkimet sipas mediave serbe janë duke u bërë edhe me dronë.
Siç po raportohet të shtënat kanë ndodhur pasi autori ka refuzuar që policia ta kontrollojë çantën që ai e kishte me vete.
Siç raportohet, gjithçka nisi një orë pas mesnate kur efektivët e policisë, të cilët ishin në detyrë në një postbllok, ndaluan një taksi që u dukej e dyshimtë dhe në të cilën ndodhej autori.
Njëri prej policëve, siç thotë raportimi, i ka kërkuar njërit prej personave që ndodheshin në veturë t’u tregonte se çfarë ka në çantë.
Ai refuzoi dhe më pas qëlloi në drejtim të policisë.
Në mediat në Serbi, Artan Hajrizi është prezantuar si i burgosur, i cili dy javë më parë ka ikur nga një burg në Kosovë.
Ndërkohë, në disa media në Kosovë, ai po prezantohet si vëllai i Faton Hajrizit, i arratisur tash e disa ditë, e i cili është shpallur në kërkim nga Policia e Kosovës,
Loznica është afër kufirit mes Serbisë dhe Bosnjës. Detaje të tjera nuk janë bërë të ditura ende. Polici i vrarë është 34 vjeçar.