Tiranë- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka theksuar rëndësinë e kërkimit të ndjesës për qytetarët e Kosovës për veprime të caktuara të qeverisë shqiptare, si sanksionet dhe bashkërendimi me Vuçicin për veriun e Kosovës. Berisha ka bërë apel për të kërkuar ndjesë për përpjekjet për të përmbysur qeverinë e Kosovës dhe për ndalimin e këngës himn të Adem Jasharit, një këngë që ai e ka cilësuar si simbolike dhe domethënëse.
“Nuk do shkoja në asnjë rrethanë pa votuar rezolutën për të dënuar gjenocidin serb në Kosovë. Pa kërkesë ndjese, vërtet qeveria përfaqëson, por janë qytetarët e Kosovës gjithashtu, por duhet kërkuar ndjesë qytetarëve të Kosovës për sanksionet që vuri Shqipëria. Duhet kërkuar ndjesë qytetarëve të Kosovës për bashkërendimin me Vuçicin që veriu i Kosovës të merrej në dorëzim nga NATO. Duhet kërkuar ndjesë qytetarëve të Kosovës për përpjekjet për të përmbysur qeverinë e vet, gjer te ndalimi i këngës, himnit të Adem Jasharit, akti më simbolik, më domethënës. E lexova tre herë atë këngë, nuk ka asnjë presje që të nxisë armiqësira, racizëm, por ama i këndon një heroi, të cilin bota nuk e ka. Nuk ka një komb tjetër që një luftëtar të luftojë tre ditë e net me të madh dhe të vogël në shtëpi, të mos ikë, ndërkohë që i kisha të gjitha mundësitë që të tërhiqej. Kemi pasur një rast, Oso Kukën me nipin, kurse Adem Jashari kreu këtë akt më madhështorin në hierarkinë e heroizmave dhe Edi Rama i ndalon këngën pasi u lejua, pasi Shkurte Fejza këndoi në stadiumin e Tiranës. Pra janë këto akte. Të shkoja unë në Prishtinë me Pashiqin? Si mund ta bëja unë këtë? Kurrë. Unë nuk shkoja kurrë me Pashiqin në Kosovë,” tha Berisha.