Në Gjykatën Themelore të Prishtinës ka nisur seanca gjyqësore ndaj Faton Klinakut dhe Nuredin Selmanit, të dyshuar për kanosje ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Pjesëmarrës në seancë është edhe vet Kurti, i cili pas prezantimit bëri me dije se nuk ka angazhuar avokat dhe do të përfaqësojë veten në këtë rast.
Klinaku tha se nuk ka qenë në dijeni se mund të përfaqësojë veten, ndryshe nuk do të merrte fare avokat, shkruan IndeksOnline.
Prokurori i rastit e lexoi aktakuzën, ku u shpalos se të dy, Klinaku dhe Selmani, e kanë kanosur me jetë të dëmtuarin Kurti, nëpërmjet profileve të tyre personale në rrjetin social Facebook.
Kujtojmë se disa javë më parë, Prokuroria njoftoi se aktakuza ndaj Klinakut dhe Selmanit, për veprën penale “Kanosja”, është dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
“Sipas aktakuzës, më 29.08.2023, i pandehuri Faton Klinaku me qëllim që ta frikësojë dhe ta detyrojë personin zyrtar tani të dëmtuarin Albin Kurti, në cilësinë e tij si kryeministër i Republikës së Kosovës, që të ndërmarrë ose të mos ndërmarrë veprime të caktuara në kuadër të ushtrimit të detyrës së tij zyrtare, e ka kanosur atë përmes profilit të tij personal në rrjetin social ‘Facebook’, duke postuar shkrime me përmbajtje kërcënuese”, deklaroi Prokuroria.