Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara të hënën miratoi një rezolutë të hartuar nga Shtetet e Bashkuara për trevjetorin e pushtimit rus të Ukrainës që merr pozicion neutral ndaj konfliktit, në kohën kur presidenti Donald Trump po synon që ta ndërmjetësojë përfundimin e luftës.
Rezoluta i pasqyron përmbysjen e politikës së ShBA-së rreth Ukrainës nga Trumpi pas rikthimit të tij në pushtet muajin e kaluar dhe qëndrimin e tij më pajtues ndaj Rusisë. Si kontrast, administrata e kaluar e ish-presidentit Joe Biden udhëhoqi përpjekje në OKB për ta mbështetur Ukrainën gjatë luftës, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Ambasadori i Rusisë, Vassily Nebenzia, i njohu ato që i quajti “ndryshime konstruktive” në pozicionin e ShBA-së ndaj luftës. Ai tha në Këshillin e Sigurimit se rezoluta amerikane “nuk është ideale”, por “një pikënisje për përpjekje të së ardhmes drejt zgjidhjes paqësore”.
Rezoluta e Shteteve të Bashkuara në Këshillin e Sigurimit u miratua me 10 vota “për”, asnjë “kundër” e pesë abstenime: Franca, Britania, Danimarka, Greqia e Sllovenia.
Këshilli i Sigurimit, me 15 shtete anëtare, pesë prej tyre të përhershme, ishte i bllokuar në votime gjatë luftës në Ukrainë, sepse Rusia e gëzon të drejtën e vetos.
Më herët të hënën, Shtetet e Bashkuara dështuan që ta miratonin të njëjtën rezolutë me tri paragrafë në Asamblenë e Përgjithshme.
Rezolutat e Këshillit të Sigurimit konsiderohen të detyrueshme, ndërsa ato të Asamblesë së Përgjithshme jo. Sidoqoftë, rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme bartin peshë politike, duke e pasqyruar pikëpamjen e botës ndaj luftës.