Masat për zhvillimet në Veri – si u përgjigjën BE dhe SHBA ndaj deklaratave të Presidentit të Serbisë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, mbajti një adresim për popullin e tij rreth “situatës në Kosovë”. Atë e proklamoi dy ditë më parë me tone kërcënuese duke thënë se do të përgjigjet me “masa serioze në 72 orët e ardhshme”. Si përfundim, ai shpalosi disa “pika” dhe në mesin e tyre ishte edhe kërkesa për kthimin e serbëve në institucione – të cilat i kishin lënë vullnetarisht. BE mirëpriti këto thirrje të Vuçiqit, SHBA bëri thirrje për përmbajtje nga retorika nxitëse, ndërsa kryeministri Kurti tha se kërkesat e presidentit serb janë pjesë e fushatës agresive për konflikte të reja.

Bashkimi Europian selektivisht mirëpriti deklaratat të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nga adresimi i tij që mbajti në Beograd.

“Ne e mirëpresim gatishmërinë e shprehur nga presidenti Vuçiq për të vazhduar angazhimin në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Pozitivisht e marrim edhe thirrjen e tij për serbët e Kosovës, që të marrin pjesë në zgjedhjet në Kosovë dhe të riintegrohen në të gjitha institucionet e Kosovës, nga të cilat janë larguar në vitin 2022”, tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë.

Stano tha se BE-ja, vazhdimisht i ka bërë thirrje Beogradit që të inkurajojë riintegrimin e serbëve në institucionet e Kosovës, dhe Prishtinës që ta mundësojë atë.

“Marrëveshjet e dialogut i parashikojnë hapat dhe procedurat që kjo të ndodhë, në përputhje dhe duke respektuar kornizën ligjore të Kosovës”, tha Stano.

“Në këtë kontekst, impelementimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është shumë i rëndësishëm”, shtoi ai, duke iu referuar, po ashtu, kërkesës së Vuçiqit për themelimin e këtij asociacioni në Kosovë.

Por, Stano kërkoi që të shmanget retorika nxitëse dhe veprimet e njëanshme.

“Retorika nxitëse dhe mashtruese, si dhe veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara shkojnë kundër dialogut. Ato vënë në rrezik normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe sigurinë e qytetarëve të tyre”, tha Stano.Po të njëjtën kërkesë e kanë edhe Shtetet e Bashkuara. Në një përgjigje për Gazetën Express, një zëdhënës i ambasadës amerikane në Prishtinë tha se i bëjnë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga retorika nxitëse dhe aktet legjislative që rrezikojnë stabilitetin.

“I bëjmë thirrje Serbisë dhe Kosovës që të përmbahen nga retorika e mëtejshme përshkallëzuese, veprimet e pakoordinuara apo aktet legjislative që bien ndesh me normalizimin e marrëdhënieve të tyre ose që rrezikojnë stabilitetin dhe sigurinë”, thuhet në përgjigjen e ambasadës.

Shtetet e Bashkuara thanë se vazhdojnë “të mbështesin fuqishëm” dialogun e lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si rrugë për të arritur një marrëdhënie paqësore dhe produktive ndërmjet dy vendeve.

“E ardhmja e të dy vendeve është në institucionet europiane; një proces i lehtësuar nga BE-ja është e vetmja rrugë përpara”.

Ambasada amerikane tha se Kosova është një shtet sovran, i pavarur, multietnik, “të cilin ne duam ta shohim plotësisht të integruar në strukturat euroatlantike dhe ndërkombëtare”.

Kryeministri Albin Kurti tek sot i ka komentuar deklaratat e Vuçiqit të bëra në fund të javës që shkoi, të cilat i cilësoi pjesë e një fushate për “konflikte të reja”.

“Kërkesat e tij, masat e tij, bëhen nga një dëshpërim dhe paraqesin joracionalitet dhe nuk janë aspak paqësore, por përkundrazi pjesë e fushatës agresive për konflikte të reja që padyshim nuk kanë vend as në Kosovë”.

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here