Macroni njofton 6,5 miliardë euro shpenzime ushtarake shtesë për dy vitet e ardhshme

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, të dielën njoftoi 6,5 miliardë euro si shpenzime ushtarake shtesë për dy vitet e ardhshme për shkak të kërcënimeve të reja e të pashembullta, duke filluar nga Rusia e pasurimi bërthamor, deri te terroristët dhe sulmet përmes internetit.

Macroni i paraqiti planet për shpenzime në një fjalim në të cilin bëri thirrje për përpjekje të shtuara që të mbrohet Evropa dhe të mbështetet Ukraina në luftën e saj kundër pushtimit rus. Ai tha se Franca do të synojë që të shpenzojë 64 miliardë euro si shpenzime vjetore të mbrojtjes më 2027, viti i fundit i mandatit të tij të dytë. Ky do të ishte dyfishi i 32 miliardë eurove që ishin ndarë për këtë qëllim më 2017, kur Macroni ishte bërë president, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.

“Nga viti 1945, liria nuk ka qenë kurrë kaq e kërcënuar dhe kurrë kaq seriozisht” – tha Macroni në fjalimin tradicional të presidentit të Francës para ushtarëve në prag të Ditës së Bastijës. “Ne jemi duke përjetuar një rikthim te fakti i një kërcënimi bërthamor dhe te shtimi i konflikteve të mëdha” – paralajmëroi ai.

“Për të qenë të lirë në këtë botë, neve duhet të na kenë frikën. Për të na pasur frikën, duhet të jemi të fuqishëm” – tha më tej presidenti francez.

Ai këmbënguli se Franca mund t’i gjejë të hollat për të shpenzuar më shumë në ushtri, edhe në kohën kur vendi po mundohet që ta ulë borxhin masiv shtetëror. Partitë konservatore dhe ato të së djathtës ekstreme e kanë përkrahur rritjen e shpenzimeve në fushën e mbrojtjes, ndërsa partitë e majta e akuzojnë qeverinë për sakrifikimin e benefiteve të mirëqenies sociale për shpenzime ushtarake.

Evropa është në rrezik për shkak të luftës së Rusisë në Ukrainë dhe luftërave në Lindjen e Mesme dhe për shkak se “Shtetet e Bashkuara kanë shtuar një formë të pasigurisë”, argumentoi Macroni. Në mesin e rreziqeve të tjera që ai i përmendi ishin fushatat e dezinformimit në internet nga qeveri të huaja që s’ua përmendi emrat dhe operacionet e propagandës që në shënjestër i kanë fëmijët.

Macroni gjithashtu i urdhëroi zyrtarët e lartë ushtarakë dhe të mbrojtjes të Francës që të nisin një “dialog strategjik” me partnerë evropianë për rolin që arsenali bërthamor francez do të mund ta luante në mbrojtjen e Evropës. Si lëvizje e jashtëzakonshme, Franca dhe Britania u pajtuan para disa ditëve që të bashkëpunojnë për çështje të mbrojtjes bërthamore./Nacionale

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here