Presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi këtë të premte se Franca është e gatshme të marrë pjesë në operacione për mbrojtjen e Izraelit, në rast se Irani ndërmerr sulme ndaj tij, duke shtuar se një përfshirje e tillë do të varet nga situata.
“Ne mbështesim sigurinë e Izraelit dhe, nëse Izraeli sulmohet, Franca do të marrë pjesë në operacionet mbrojtëse të tij”, u shpreh Macron, sipas raportimeve të gazetës Le Monde.
Presidenti francez theksoi se Franca i jep gjithmonë përparësi zgjidhjeve diplomatike, duke sqaruar se nuk ka marrë pjesë apo mbështetur sulmet ajrore të fundit të kryera nga Izraeli.
“Ne nuk e morëm këtë vendim së bashku me Izraelin. I kam ofruar Izraelit gatishmërinë time për ndihmë, por në asnjë mënyrë nuk kam ndërmend të marr pjesë në ndonjë operacion ofensiv,” shtoi Macron.