Luftë e brendshme në inteligjencën e ShBA-së: CIA ndërpret kontributin në disa vlerësime të ODNI-t

Agjencia Qendrore e Inteligjencës (CIA) e ka ndërprerë kontributin e saj në disa vlerësime të inteligjencës, përfshirë ato që lidhen me luftën e Iranit, të hartuara nga Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare (ODNI), në kohën e mosmarrëveshjeve rreth ndarjes së të dhënave të inteligjencës dhe fushave të përgjegjësisë, thonë disa persona të afërt me çështjen.

Përplasja mes CIA-s dhe ODNI-t ka qenë duke u zhvilluar për më shumë se një vit, duke e penguar bashkëpunimin për analizat rreth sigurisë kombëtare, në të cilat presidentët për një kohë të gjatë janë mbështetur për të trajtuar sfida të jashtme me natyrë të ndërlikuar, thanë një zyrtar amerikan dhe tre persona me njohuri të drejtpërdrejta rreth çështjes, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Burimet folën në kushte anonimiteti në mënyrë që të diskutonin për çështje të brendshme të ndjeshme, theksoi kjo agjenci.

Në thelb të mosmarrëveshjeve është një përplasje për një task-forcë, e cila ishte themeluar në prillin e vitit të kaluar nga Tulsi Gabbard, drejtoreshë e Inteligjencës Kombëtare, thanë burimet.

CIA, e udhëhequr nga drejtori John Ratcliffe, pretendon se Grupi i Nismave i Drejtorit ka vepruar në mënyrë të pamatur duke i anashkaluar protokollet tradicionale për ndarjen e inteligjencës dhe deklasifikimin, thanë dy prej burimeve. Zyrtarë të ODNI-t thonë se CIA vazhdimisht ia ka bllokuar këtij grupi qasjen në të dhëna të inteligjencës.

Prishja e bashkëpunimit mes agjencive të inteligjencës vjen në një kohë të rrezikshme për administratën e presidentit Donald Trump, kur ShBA-ja është e zhytur në konfliktin me Iranin dhe po ballafaqohet me sfida të sigurisë kombëtare, duke filluar nga zgjerimi ushtarak kinez deri te lufta e Rusisë në Ukrainë.

Një zhvillim i tillë gjithashtu lë të kuptohet se reformat pas 11 shtatorit të vitit 2011, me të cilat u themelua posti i drejtorit të Inteligjencës Kombëtare për bashkërendimin mes 18 agjencive amerikane të inteligjencës, nuk i ka dhënë fund mungesës së funksionalitetit.

Sipas burimeve, CIA dhe ODNI tani operojnë kryesisht si dy operacione analitike të ndara. Dy prej burimeve thanë se vlerësimet rreth Iranit – ku ushtria amerikane ka qenë duke luftuar nga shkurti – janë në mesin e çështjeve në të cilat CIA nuk merr pjesë më rregullisht.

Zonja Gabbard tha javën e kaluar se do të jepte dorëheqje nga pozita e saj më 30 qershor, duke e përmendur si arsye sëmundjen e bashkëshortit. Trumpi tha të martën se do ta emërojë Bill Pulte-n si drejtor në detyrë të Inteligjencës Kombëtare.

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME