Lirohen nga burgu adoleshentët që vranë 15-vjeçaren në një ritual satanik

Dy burra, të cilët në adoleshencë vranë një vajzë 15-vjeçare si pjesë e një rituali satanik, janë liruar nga burgu.

Elyse Pahler u vra më 22 korrik 1995 nga shokët e saj të klasës, Royce Casey, Jacob Delashmutt dhe Joseph Fiorella. Treshja e joshi vajzën të largohej nga shtëpia e saj në Arroyo Grande, Kaliforni, duke i thënë se do të takoheshin në një fushë për të pirë marihuanë.

Në vend të kësaj, ata e goditën me thikë më shumë se dhjetë herë, e mbytën, e shkelmuan dhe e lanë të vdiste nga gjakderdhja, si pjesë e një sakrifice që po i bënin djallit. Trupi i saj u gjet tetë muaj më vonë, pasi njëri prej autorëve, Casey, rrëfeu krimin e tmerrshëm. Ai pranoi se fjalët e fundit të Elyse ishin thirrje për Jezusin dhe për nënën e saj.

Elyse Pahler (në foto) u vra më 22 korrik 1995, nga shokët e saj të gjimnazit, Royce Casey, Jacob Delashmutt dhe Joseph Fiorella.

Çfarë ndodhi me autorët?

Në gjyqin e vitit 1997, Delashmutt dhe Casey pranuan akuzat për vrasje të shkallës së parë dhe u dënuan me 25 vjet deri në burgim të përjetshëm. Fiorella u dënua me 26 vjet deri në burgim të përjetshëm.

Tani, dy prej tyre janë liruar me kusht.

Royce Casey (majtas) dhe Jacob Delashmutt (djathtas), dy nga vrasësit e saj në adoleshencë, tashmë janë liruar me kusht.

Jacob Delashmutt, i vetëshpallur “udhëheqësi” i grupit, u lirua nga burgu në korrik të këtij viti. Ndonëse në fillim fajësoi miqtë e tij, në seancën e fundit dëgjimore ai pranoi se ishte “personi më përgjegjës për krimin”.

“Unë kisha çdo mundësi ta ndaloja dhe nuk e bëra. Isha i përfshirë në planifikim që nga fillimi,” tha Delashmutt, tani 47 vjeç. Atij i ishte mohuar lirimi me kusht disa herë në të kaluarën, por këtë herë bordi miratoi lirimin e tij, raporton Daily Mail, përcjell Korrespodenti.

Royce Casey, i cili pranoi se i dha vajzës goditjen vdekjeprurëse duke i shkelmuar qafën, gjithashtu u lirua me kusht dhe u transferua në një banesë sociale në Los Anxhelos në fillim të gushtit. Edhe lirimi i tij ishte bllokuar më parë nga Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, i cili argumentonte se Casey përbënte ende një “rrezik të paarsyeshëm për shoqërinë”.

Në seancën e tij, Casey tha se ata ishin ndikuar nga muzika “death metal”, duke pretenduar se kjo muzikë i mësoi të shprehnin zemërimin e tyre përmes “vetëvrasjes, vrasjes dhe sakrificës”.

Joseph Fiorella, i cili ishte 15 vjeç në kohën e krimit, mbetet në burg. Lirimi me kusht i është mohuar në vitin 2023 dhe ai do të ketë një tjetër mundësi në vitin 2026.

Motivi i tmerrshëm: “Një biletë për në ferr”

Gjatë gjyqit, prokurorët argumentuan se treshja e planifikoi vrasjen për të “fituar një biletë për në ferr”. Hetuesi kryesor dëshmoi se ata e zgjodhën Elyse si viktimë “sepse ishte bjonde me sy blu dhe virgjëreshë, çka e bënte sakrificën e përsosur për djallin”.

Elyse Pahler (në foto) u godit me thikë më shumë se dhjetë herë, u mbyt, u shkelmua dhe u la të vdiste nga gjakderdhja, si pjesë e sakrificës që djemtë po i bënin djallit.

Ata kishin formuar një grup muzikor të quajtur “Hatred” (Urrejtja) dhe besonin se duke sakrifikuar Elyse, do të ishin në gjendje të bënin muzikë më të mirë.

Në kontrast me vrasësit e saj, të cilët përshkruheshin si “të çuditshëm” që pinin hashash dhe dëgjonin muzikë metal, Elyse ishte një atlete, nxënëse e shkëlqyer dhe kishte shumë miq.

Kujtimet e familjes

Prindërit e Elyse e raportuan atë të zhdukur më 23 korrik 1995. Nëna e saj, Lisanne, kujton se atë natë po shihnin televizor së bashku kur ra telefoni. Elyse foli shkurtimisht me Delashmutt dhe më pas shkoi në dhomën e saj. Disa orë më vonë, kur e ëma shkoi ta kontrollonte, zbuloi se ajo ishte larguar.

“Unë mendoj se ajo u mashtrua, sepse nuk kishte kuptim që ajo të dilte me ata fëmijë të çuditshëm nga shkolla,” tha nëna e saj në një dokumentar.

Babai i saj, David, tregoi detaje nga rrëfimi i vrasësve: “Në rrëfim, Royce fliste se ata ia kishin shitur shpirtin djallit dhe se objektivi i tyre në Tokë ishte të vrisnin 666 virgjëresha me sy blu si sakrificë për Satanain, në mënyrë që të fitonin një biletë për në ferr. Ata e çuan në një vend në pyll ku disa pemë të rrëzuara kishin marrë formën e një pentagrami, dhe aty ndërtuan altarin e tyre dhe kryen sakrificën.”

Lisanne gjithashtu kujton një episod rrëqethës para vrasjes, kur kishte parë njërin prej autorëve, Joe Fiorella, duke vëzhguar vajzën e saj teksa luante me shoqet. “Kisha një ndjesi të çuditshme për të,” tha ajo. “Ai qëndronte aty dhe i vështronte. Ishte e frikshme.” /Korrespodenti

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME