Lidhja e Bizneseve të Kosovës (LBK) ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për ndërprerjen e furnizimit me energji elektrike për bizneset, duke e cilësuar si të jashtëligjshëm, arbitrar dhe shkatërrues për ekonominë e vendit.
Sipas LBK-së, këto masa godasin rëndë prodhimin vendor, minojnë besimin e investitorëve të huaj, dëmtojnë imazhin ndërkombëtar të Kosovës dhe cenojnë mirëqenien e qytetarëve.
“Bizneset që përbëjnë 56% të ekonomisë dhe punësojnë mbi 140 mijë persona nuk duhet të përballen me masa të padrejta dhe të paarsyeshme. Ky vendim i sotëm nuk i shërben Kosovës – përkundrazi, i shërben interesave të individëve të caktuar dhe shteteve fqinje”, thuhet në reagimin e LBK-së.
Organizata i ka bërë thirrje spektrit politik, Presidentes dhe Kryeministrit në detyrë që të ndërhyjnë menjëherë, duke kërkuar: Formimin e institucioneve sa më shpejt, shkarkimin e bordit të ZRRE-së dhe ndalimin e menjëhershëm të ndërprerjes së energjisë për bizneset.
LBK apelon për rikthim në dialog me komunitetin e biznesit, në mënyrë që tranzicioni drejt tregut të lirë të energjisë të bëhet i drejtë, i planifikuar dhe në funksion të zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm.
“ZRRE me vendime arbitrare po shkatërron prodhimin dhe ekonominë e Kosovës. Kërkojmë ndaljen e menjëhershme të këtyre veprimeve dhe dialog me bizneset”, përfundon reagimi.