Largimi i masave, dialogu dhe mesazhet e Kallas – flet profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare
Deklarimi i Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, se kanë nisur në formë graduale të heqin masat ndaj Kosovës, është më shumë qëndrim politik, thotë profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Afrim Hoti.
Sipas tij, kjo çështje nuk është tërësisht në dorën e Kallas, pasi për nisjen e largimit të masave duhet të japin pëlqimin të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian. Megjithatë, Hoti e vlerëson si qëndrim pozitiv insistimin e shefes së diplomacisë së BE-së për largimin e masave dhe konsideron se deri në fund të vitit masat mund të largohen në plotësi.
Kallas qëndroi në Kosovë në datat 22-23 maj, ku para gazetarëve në Prishtinë bëri të ditur se kanë nisur heqjen graduale të masave ndaj Kosovës, mirëpo shtoi nevojën e shtensionimit të plotë të situatës në veri të Kosovës.
Profesori universitar në një intervistë për KP thotë se vizita e Kallas në Kosovë ishte domethënëse edhe për rrugën evropiane të Kosovës.
“Kur flasim për BE-në, po flasim për një organizëm shumë kompleks të funksionimit. Një organizëm që bartë në veti aktorë të cilëve duhet t’u merret pajtueshmëria për marrjen e këtyre vendimeve. Qoftë për vendosjen e këtyre masave në rastin konkret dhe në rastin më të mirë kur të njëjtat duhet të hiqen. Në marrjen e këtij vendimi duhet të merret pëlqimi i 27 vendeve atëherë dhe duhet të kemi parasysh që jo të gjitha vendet anëtare të BE-së e shohin me simpati dhe admirim Kosovën dhe proceset të tjera që lidhen rreth Kosovës… Sidoqoftë, këto masa janë vendosur padrejtësisht, pasi Kosova nuk i ka merituar në asnjë moment… Deklarimi i (Kallas) është politik pasi kjo çështje nuk është tërësisht në dorën e zonjës Kaja Kallas, mirëpo në pëlqimin që duhet dhënë nga shtetet anëtare të BE-së. Nëse jo në perspektivën e afërt, por sa më të shpejt të mundshme besoj se do të hiqen”, thotë ai.
Sipas tij, në bazë të mesazheve të Kallas, e njëjta mund të rikthejë dialogun Kosovë-Serbi në binarë, përmes një qasjeje të barabartë të BE-së.
Dialogu Kosovë-Serbi ka ngecur që nga fundi i vitit 2024. Prej atëherë palët nuk janë takuar, gjithashtu nuk është bërë ndonjë lëvizje konkrete për zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit të arritur në vitin 2023.
“Çfarëdo strukture që do të ndërmjetësonte dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe që është e ndryshme nga binomi Borrell-Lajçak, mendoj se duhet të përshkruhet me terma pak më pozitivë. Një binom tjetër sikurse Kallas-Sorensen sigurisht që do të karakterizohet me dinamikë të re. Kjo dinamikë, në përshtypjen time të përgjithshme, do të lidhet me zbatimin e marrëveshjeve. Unë besoj se ka shumë pak ose aspak tema që mund të negociohen me Serbinë. Shumica nga to janë shteruar ose të formësuar përmes marrëveshjeve të cilat kanë marrë pëlqimin e palëve. Nga BE-ja duhet një vendosmëri më e madhe, një qëndrim më parimor dhe konsekuent dhe një person më evident dhe ndjeshëm si palë të barabartë në drejtim të zbatimit të marrëveshjeve”, shton Hoti.
Duke folur për porositë e Kallas sa i përket nevojës për themelimin e shpejtë të institucioneve të reja në Kosovë, Hoti konsideron se njëjta mund të luajë një rol në zhbllokimin e krizës politike, pas takimeve me aktorët kyç politik.
Ai konsideron të domosdoshëm konstituimin e Kuvendit edhe për t’i dhënë dritën e gjelbër miratimit të marrëveshjeve me BE-në, sa i përket Planit të Rritjes dhe marrjes së fondeve nga ana e Kosovës.
“Gjithsesi që do të ndihmojë. Madje jo vetëm mesazhi i zonjës Kallas, por edhe çfarëdo autoriteti dhe dashamirësi të Kosovës… Fondet tashmë janë të vonuara sepse vonesat nuk i kemi shkaktuar vetëm me çështjen e zgjedhjeve. Ato vijnë edhe nga viti i kaluar dhe nëse kalohet gjatë muajit të parë, po flasim për fillimin e përfitimit të tyre apo dhënies së këtyre granteve për vitin e ardhshëm. Këtu ka të bëjë me procedura shumë të komplikuara dhe burokratike,” thekson Hoti.
Në rrethanat aktuale politike, Hoti thotë se Kosova është në një krizë të thellë. Andaj, ai bën thirrje që të mendohet formimi i një qeverie kalimtare apo të unitetit kombëtar.
Sipas tij, vetëm në këtë formë mund të dilet nga kriza politike si dhe t’i kryhen përgjegjësitë që Kosova ka në arenën ndërkombëtare, si dhe përfundimin e dialogut me Serbinë.
“Sado që provojmë të paraqitemi si demokratik, ne jemi në një krizë të thellë politike. Në këtë drejtim, është momenti i duhur që të mendohet për ndonjë model, qoftë të qeverisjes kalimtare apo të unitetit kombëtar. Pavarësisht se kushdo që do të udhëheqë me qeverinë, vendi në momentin e parë të formimit të saj do të përballet me nevojën e marrjes së vendimeve me peshë të madhe historike. Këtu e kam fjalën për themelimin e Asociacionit, epilogun e dialogut. Në këtë drejtim mendoj se është momenti i duhur që të themelohet një qeveri e unitetit kombëtar për t’i dhënë përgjigje obligimeve që kemi para vetes. Nëse flasim për Asociacionin, ne kot e kemi të fshihemi pas një subjekti apo tjetri.
Të gjitha partitë kanë dhënë kontributin e tyre, qoftë në marrëveshjen e vitit 2013 apo 2015, apo edhe marrëveshjen e fundit që Kurti e bëri në Ohër. Ky është tregues se të gjitha partitë politike kanë dhënë pëlqimin për Asociacionin dhe kryerjen e detyrave tona… Është momenti i duhur që të gjitha partitë të marrin pjesën e tyre të përgjegjësisë dhe të kryejnë obligimet politike dhe juridike ndërkombëtare. Të anëtarësohet vendi në Këshillin e Evropës. Të zgjidhet një herë e përgjithmonë dialogu me Serbinë dhe në vitin e ardhshëm të bartet sërish përgjegjësia te sovrani”, përfundon Hoti.
Një propozim të tillë e ka dhënë edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila ka dalë e treta në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Konstituimi i Kuvendit ka ngecur pasi Lëvizja Vetëvendosje nuk po arrin t’i sigurojë 61 votat e nevojshme për të zgjedhur Albulena Haxhiun kryetare të Kuvendit.
Partitë që deri më tash ishin në opozitë po kërkojnë kandidat tjetër, pasi sipas tyre, Albulena Haxhiu është emër i papranueshëm.