Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim për caktimin e masës së paraburgimit prej një muaji ndaj kryeshefit të KRU “Gjakova”, Hasan Krasniqi, i cili u arrestua pas një aksioni të Krimeve Ekonomike në koordinim me Prokurorinë Speciale.
Kjo është konfirmuar nga zëdhënësja e kësaj gjykate, Mirlinda Gashi.
Specialja njoftoi se kryeshefi i KRU “Gjakova” dyshohet për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, përkatësisht Njësinë Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Korrupsionit në Gjakovë, kanë realizuar sot një operacion policor në Gjakovë. Operacioni policor ka rezultuar me arrestimin e një personi H.K., të dyshuar për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 i KPRK-së, i cili me vendim të prokurorit nga PSRK është ndaluar për 48 orë”, u tha në përgjigjen e Prokurorisë Speciale.
Kryeshefi i KRU “Gjakova”, Hasan Krasniqi, në gusht të vitit të kaluar ishte është arrestuar në Bullgari, në bazë të një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Policia italiane për dyshimet për trafikimin me qenie njerëzore.
Hasan Krasniqi në zgjedhjet e fundit lokale të vitit 2021 ka qenë kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për Asamblenë Komunale të Gjakovës, por nuk kishte marrë votat e mjaftueshme për të qenë pjesë e saj.
Në janar të vitit 2022, ai ishte zgjedhur kryeshef ekzekutiv në KRU “Gjakova”.