Udhëheqësit e ri europianë në Bruksel qysh në ditët e para pasi hynë nëpër zyra dërguan ftesa për liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor. Një darkë për ta e shtroi presidenti i ri i Këshillit Europian, Antonio Costa. Ndërsa Përfaqësuesja e Lartë, Kaja Kallas, e cila do të ketë në mandat zgjidhjen e problemit Kosovë-Serbi, jashtë kornizës së dialogut, priti në takime të ndara kryeministrin Kurti dhe presidentin serb Aleksandar Vuçiq. Takimet, siç tha Kurti më pas, ishin më shumë informuese, ndërsa vijimësia e dialogut do të dihet më vonë.
Pas një sage të gjatë kritikash e mospajtimesh me ish-kryediplomatin, Josep Borrell, kryeministri Kurti dje u shfaq optimist për lidershipin e ri të Kallas. Ai nga Brukseli pati edhe lëvdata për të.
“Nga liderët që ka Europa sot, besoj që znj.Kallas është në kohën e duhur, në vendin e duhur”, tha ai.
Kurti me të tha se foli për çështjet e progresit të Kosovës sa i përket integrimeve europiane, por gjithashtu edhe raportet me fqinjin verior.
Për temën e dytë, Kurti tha se i foli për sulmin terrorist të Banjskës e kërkesën e Kosovës për dorëzimin nga Serbia të Milan Radoiçiqit, si dhe sulmin e para pak ditëve në Ibër-Lepenc.
Ndërkaq, Kurti tha se ka insistuar që Marrëveshja e Ohrit të përmendet gjithmonë kur bëhet fjalë për dialogun.
“Ne kemi një marrëveshje me Serbinë, e ka edhe një Aneks të Zbatimit nga Ohri. Marrëveshja Bazike është e arritur e rëndësishme, ajo duhet të respektohet dhe duhet të zbatohet e garanci për këtë është pikërisht nënshkrimi i saj”, tha Kurti në një deklarim për gazetarët pas takimit me shefen e diplomacisë së BE-së.
Kurti u shpreh i bindur që do të ketë intensifikim të procesit të dialogut në krye me Kallasin.
“Takimi i sotëm duket që ka qenë më shumë për të na dëgjuar neve, do të dëgjojë edhe të tjerët nga rajoni dhe nuk ka dyshim që në vitin e ardhshëm do ta intensifikojë procesin për paqe e siguri, për integrim edhe zhvillim, natyrisht duke punuar edhe me ekipin e saj. Por, se çfarë forme përmbajtje do të merr kjo, vështirë ta dimë tash”, tha Kurti.
Në fund, Kurti tha se në kushtëzimet e tij – dorëzimi i Radoiçiqit dhe tërheqja e letrës së ish-kryeministres serbe Bërnabiq – për nisjen e dialogut ende janë të vlefshme meqë Beogradi s’ka ndryshuar.
Të njëjtin disponim si të Kurtit s’e pati presidenti i Serbisë. Së paku, kështu u duk në postimin e Vuçiqit në Instagram ku njoftoi për takimin me Kallasin ku ai pretendoi se pati “një takim të vështirë”.
Ai tha se Kallas i ka folur atij për “domosdoshmëri” në dialogun me Kosovën, si dhe që i ka kërkuar zgjidhje për “rastin Banjska”.Një bisedë e hapur dhe e vështirë me Kaja Kallas dhe diplomacinë europiane. Ata folën për rrugën europiane të Serbisë, ndërsa përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë foli për domosdoshmërinë e dialogut me Prishtinën, zgjidhjen e rastit Banjska dhe vendosjen e sanksioneve ndaj Federatës Ruse. Unë u përgjigja në përputhje me politikën dhe interesat e Serbisë”, ka shkruar Vuçiq.
Kallas shkurt njoftoi edhe vetë për takimet me dy liderët nga Ballkani.
Ajo përmendi Marrëveshjen e Ohrit si baza me të cilën duhet të ndodhë normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, ndërsa për sulmin e fundit terrorist në Kosovë tha se duhet të vihet drejtësia.
“E vetmja mënyrë për anëtarësim në BE është përmes normalizimit të marrëdhënieve të tyre në bazë të Marrëveshjes së Ohrit. E mirëprita gatishmërinë për të bashkëpunuar plotësisht pas sulmit të fundit terrorist. Autorët duhet të përballen me drejtësinë”, shkroi ajo.
Edhe presidenti i Këshillit Europian pas takimit me gjashtë liderët e rajonit tha se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në BE.
“Le të punojmë që ta bëjmë”.