Kurti e Vuçiq përballë njëri-tjetrit të mërkurën e ardhshme

Kosova dhe Serbia patën trysni që marrëveshjen e dakorduar në Bruksel dhe Ohër ta vinin në zbatim para zgjedhjeve të sivjetme të Bashkimit Europian, megjithatë udhëheqja aktuale e këtij blloku do t’i hapë dyert edhe për një takim të ri të nivelit të lartë Kosovë-Serbi. Kurti e Vuçiq do të shihen pas një kohe të gjatë – hera e fundit ka qenë më 14 shtator të vitit të kaluar – ndërkohë që kryenegciatorët janë takuar 7 herë për çështjen e dinarit. Këtë ballafaqim Kurti -Vuçiq, BE e ka caktuar për të mërkurën e javës së ardhshme. Çfarë do të diskutohet.

Kryeministri Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq më 26 qershor do të jenë në Bruksel për të vazhduar bisedimet e ndërprera që nga viti i kaluar. Të dy udhëheqësit nuk janë takuar që nga sulmi terrorist në Banjskë më 24 shtator të vitit të kaluar dhe nuk dihet nëse do të preket edhe kjo temë në takimin e ri. Kryeministri Kurti ka akuzuar drejtpërdrejt qeverinë e Vuçiqit për sulmin që la të vrarë policin Afrim Bunjaku dhe ka insistuar në vazhdimësi që Serbia të mbahet përgjegjëse për këtë.

Po ashtu, brenda kësaj periudhe Banka Qendrore e Kosovës mori vendimin për ndalimin e përdorimit të dinarit në Kosovë që bëri Beogradin të protestonte. Kjo nxiti edhe BE-në që të ndërhynte për të ndërmjetësuar për gjetjen e një zgjidhje për qytetarët e Kosovës që marrin paga e pensione nga Serbia. Emisari Miroslav Lajçak priti shtatë takime të kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë dhe ende nuk është gjetur ndonjë pajtim.

“Fatkeqësisht, palët nuk ia dolën të arrijnë një marrëveshje. Unë jam gati të pres përsëri palët nëse ato tregojnë gatishmëri për të arritur një zgjidhje të përkohshme të pëlqyeshme reciprokisht”, tha Lajçak më 15 maj në takimin e fundit pasi kishte pritur kryenegociatorin kosovar Besnik Bislimi dhe atë serb Petar Petkoviq.

Pas një pauze, Lajçak këtë muaj u kthye me lajmin që i është zgjatur mandati deri në janar derisa BE të ketë një kryediplomat të ri dhe më pas edhe një emisar të ri të dialogut.

Në takimet e fundit që pati Lajçak në Kosovë dhe Serbi nuk e përmendi më çështjen e dinarit.

Më 18 qershor, Lajçak u takua në Athinë me kryeministrin e ri serb, Millosh Vuçeviq, me të cilën tha se foli për gjendjen aktuale të dialogut.

“I dhashë atij një përditësim për gjendjen aktuale në dialog dhe fola për marrëdhëniet BE-Serbi”.

Në të njëjtën ditë, Lajçak erdhi në Prishtinë ku takoi zëvendëskryeministrin Bislimi me të cilin po ashtu s’foli më për dinarin.

“Sot në Prishtinë jam takuar me zëvendëskryeministrin e parë, Besnik Bislimi për të diskutuar hapat e ardhshëm në zbatimin e Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit, si dhe Planin e ri të Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Mezi presim të vazhdojmë bisedën tonë”, shkroi Lajçak.

Një ditë më pas, në Serbi Lajçak u takua edhe me Vuçiqin dhe Petkoviqin.

Me Vuçiqin ai tha se ranë “dakord për hapat e ardhshëm për periudhën e ardhshme”, ndërsa me Petkoviqin tha se u takua “për të folur për çështjet teknike aktualisht në agjendën e dialogut dhe nevojën e mbajtjes së një takimi të kryenegociatorëve për t’i adresuar ato”. Por, pa përmendur dinarin.

Nuk dihet nëse cështja e dinarit do të shfaqet në Bruksel, Kurti kishte refuzuar zëshëm që të diskutojë për rregulloren e BQK-së në kuadër të dialogut.

Mbi temat që do të diskutohen nga Kurti dhe Vuçiq të mërkurën, Lajçak i tregoi pak në një intervistë të para disa ditëve.

“Janë disa çështje që mund të zgjidhen vetëm në nivel liderësh, ndër to është zbatimi i Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit, si dhe rruga përpara. I takon liderëve të ofrojnë qeverisje politike, e cila më pas do të monitorohet në nivele të ndryshme. Ekziston gjithashtu nevoja për të theksuar atë që është arritur në periudhën e kaluar. Pra, ne e shohim absolutisht nevojën për të vazhduar punën tonë në një nivel të lartë”, kishte thënë Lajçak.

Tutje, ai ritheksoi se propozimi i fundit i BE’së është që Kosova të fillojë procesin e themelimit të Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe dhe që Serbia të fillojë zbatimin e obligimit për njohjen e Kosovës dokumente, institucione dhe simbole

Në një përgjigje dje për Gazetën Express, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, konfirmoi takimin e së mërkurës, por nuk dha detaje mbi temat që do të diskutohen aty.

“Mund të konfirmoj që një takim i nivelit të lartë i dialogut të ndërmjetësuar nga BE midis Beogradit dhe Prishtinës do të zhvillohet në Bruksel të mërkurën e ardhshme. Presidenti i Serbisë dhe Kryeministri Kurti do të përfaqësojnë palët përkatëse dhe takimi do të kryesohet nga ndërmjetësi – Përfaqësuesi i Lartë Josep Borrell, i mbështetur nga Përfaqësuesi Special i BE-së për dialogun Miroslav Lajčák”.

Por, në LDK dyshojnë se Kurti mund të merret vesh edhe për një aneks të ri me Vuçiqin në Bruksel.

Deputeti Armend Zemaj i ka bërë thirrje Qeverisë të mos bëjë gabime tjera në këtë proces.

“Duket që ka hezitime edhe në BE për heqjen e masave, por unë besojë që kjo ndërlidhet edhe me takimin Kurti- Vuçit të mërkurën, mbetët të shihet sjellja dhe nëse ka ndonjë dakordim shtesë që unë nuk do ta dëshiroja dhe kërkojmë nga Qeveria të mos ketë gabime të përsëritshme, mos të ketë edhe ndonjë aneks marrëveshje tjetër. Mund të ketë dhe dyshojmë diçka ndryshe nga ajo që po kërkohet në implementimin e marrëveshjeve të kaluara”, ka thënë Zemaj.

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here