Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, vuri gurthemelin e banimit të përballueshëm e social në Pejë. Ai me këtë rast tha se kjo është e drejtë themelore njerëzore që për jetesë të mirë të kemi banesë të dinjitetshme.
Ai, mes tjerash, falënderoi kryetarin e Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri për kujdesin në përzgjedhjen e lokacionit dhe infrastrukturën përcjellëse, teksa bëri të ditur se Qeveria të cilin ai e udhëheq do të kujdeset për investimin kapital, përkatësisht projektimin, mbikëqyrjen dhe ndërtimin.
Ndërsa kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, tha se parcela në të cilën do të ndërtohet objekti i banimit të përballueshëm e social përfshin rreth 1.4 hektarëve.
“Kjo parcelë është ndarë nga Komuna e Pejës me plan zhvillimor komunal dhe me hartë zonale, d.m.th. ka pasur destinimin për banim social dhe të ndërtim për banim të përballueshëm, kështu që s’kemi pasur asnjë pengesë për të lëshuar lejen për ndërtimin e këtyre banesave”, tha kryetari i Pejës.
Ai bëri të ditur se janë edhe tri parcela të tjera që janë në pronësi të komunës por që u shpreh se duhet gjetur mënyrat e financimit për të ndërtuar afro 280 banesa të tilla.
Ndërkaq nga Ministria e Mjedisit u bë e ditur se koha e ndërtimit të këtyre banesave do të zgjasë rreth tre vjet, derisa vlera e ndërtimit kalon shifrën e 10 milionë eurove.
E kryeministri në detyrë, Albin Kurti shtoi se në katër komuna janë mbi 400 banesa të tilla të përballueshme e sociale, teksa ka falënderuar Komunë e Pejës për aplikim në ndërtimin e këtyre banesave dhe bëri thirrje komunat tjera që ta bëjnë një gjë të tillë.
“Le të aplikojnë se prindër vetushqyes nuk ka veç në Pejë, Istog, Podujevë e Gjilan, por ka anembanë Kosovës”, tha në fund Kurti.