Australia planifikon kufizim të moshës minimale për rrjetet sociale

Australia planifikon që të vendosë një kufi të moshës minimale për përdorimin e rrjeteve sociale nga fëmijët, duke i përmendur shqetësimet për shëndetin mendor dhe fizik e duke nxitur reagim nga mbrojtësit e të drejtave digjitale, të cilët po paralajmërojnë se kjo masë do të mund të nxiste aktivitet të rrezikshëm ilegal.

Kryeministri Anthony Albanese tha se Qeveria do të bëjë një testim të vërtetimit të moshës para miratimit të ligjeve për moshën minimale për rrjete sociale këtë vit, raporton agjencia “Reuters”.

Albanese nuk saktësoi ndonjë moshë minimale që do të vendosej, por tha se gjasat janë që ajo të sillet mes moshave 14- e 16-vjeçare.

“Unë dua që t’i shoh fëmijët larg pajisjeve të tyre e me këmbë në fusha e në pishina noti e fusha tenisi. Ne duam që ata të kenë përvoja të vërteta me njerëz të vërtetë, sepse e dimë që mediat sociale janë duke shkaktuar dëm social” – tha kryeministri australian.

Ligji i ri, nëse miratohet, do ta vendoste Australinë në mesin e shteteve të para në botë që caktojnë kufizim moshe për përdorimin e rrjeteve sociale. Përpjekjet e kaluara, përfshirë ato nga Bashkimi Evropian, kanë dështuar pas ankesave rreth kufizimit të të drejtave të të miturve në internet.

Kompania “Meta”, pronare e rrjeteve “Facebook” dhe “Instagram”, që ka të vendosur moshë minimale 13-vjeçare për përdoruesit, tha se dëshiron që t’i fuqizojë të rinjtë për të përfituar nga platformat e saj dhe t’i pajisë prindërit me mjetet për t’i mbështetur ata “në vend se thjesht ta ndërpresin qasjen”.

Kompania pronare e uebfaqes “YouTube”, “Alphabet”, nuk iu përgjigj një kërkese për koment. Zyrtarët e rrjetit “TikTok” nuk ishin menjëherë të qasshëm për koment.

Australia ka njërën nga popullsitë që e shfrytëzojnë më së shumti internetin. Katër të pestat e popullsisë së saj 26-milionëshe i përdorin rrjetet sociale, sipas shifrave të industrisë së teknologjisë. Tre të katërtat e australianëve të moshës 12- deri 17-vjeçare i kishin përdorur rrjetin “Instagram” dhe uebfaqen “YouTube”, sipas një hulumtimi të Universitetit të Sydney-t vitin e kaluar./Nacionale

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here