‘Kryeministër servil dhe i nënshtruar’, Nesho: Autokracia e Ramës po i kushton Shqipërisë rrugën drejt BE-së

Shqipërisë i mungojnë bazat e një shoqërie funksionale, siç janë sistemi i balancimit të pushteteve (check and balance), paanësia e institucioneve dhe respektimi i ligjit. Kjo situatë jo vetëm që pengon avancimin e vendit në procesin e integrimit europian, por e bën të pamundur përmbushjen e kritereve të kapitujve të parë të negociatave.

Ish-ambasadori Agim Nesho, i ftuar në studion e ’Kafe Shqeto’, u shpreh se Shqipëria është shndërruar në një autokraci elektorale, duke e krahasuar me modelin e Vladimir Putin.

Ai akuzoi qeverinë e Edi Ramës për kapje të institucioneve dhe shkelje të parimeve të shtetit të së drejtës. Sipas Neshos, ndërkombëtarët e kanë toleruar këtë situatë për interesa të tyre, duke e përdorur Ramën për qëllime të caktuara.

Ai theksoi se sot Shqipëria po paguan pasojat, duke u larguar nga standardet e Bashkimi Europian.

Pjesë nga deklarata:

Shqipëria është një autokraci elektorale. Dhe kur themi në këtë drejtim një autokraci elektorale, deri tani, në të drejtën ndërkombëtare, në analizat që bëhen, vetëm Rusia e Putinit është quajtur një e tillë. Ne nuk kemi bazat e një shoqërie që funksionon dhe respekton shtetin e së drejtës, barazinë e institucioneve, paanësinë e tyre, domethënë “check and balance” që duhet të ketë.

Ne kemi ndërtuar një autokraci elektorale, e cila nuk përputhet me atë që është themeli i funksionimit të Bashkimit Europian. Dhe për të tjerat janë gjëra kot, për arsye sepse ky është themeli dhe ajo që diskutohet në Koela dhe në vazhdimësi është që kapitulli i parë jo vetëm nuk mund të avancojë, por nuk ka të bëjë me rregullat e caktuara nga traktatet dhe vendimet e Bashkimit Europian. Nuk kemi përputhje me familjen europiane, me vlerat europiane, me principet europiane.

Ne jemi një “mbretëri alla osmane”, e ngatërruar me perandoritë e vjetra, ku është një sundimtar i cili, për fat të keq, është edhe injorant, sepse vjen vetëm nga fusha e vizatimeve, nuk ka as vizion se si mund ta zhvillojë vendin dhe tani përpiqemi, na thonë, që të integrohemi në Bashkimin Europian. Pra, jo vetëm që rregullat e lojës nuk përbëjnë asgjë të përbashkët në themel me familjen europiane, por nga ana tjetër është një njeri që deri tani është quajtur me të drejtë po arrij në pikën tuaj të dytë edhe nga zonja Kos, si lideri me vizion më të qartë për Bashkimin Europian, gjë që është një gënjeshtër e madhe.

Por kjo tregon që gjatë gjithë kësaj kohe kemi pasur një kryeministër i cili është përpjekur më shumë që të bëjë rolin e klientelistit në lidhje me fuqitë e mëdha botërore. Ne e kemi parë servilizmin e tij dhe nënshtrimin, por edhe blerjen e influencës politike, si te Makroni, në shumë raste me projektet që i dha falas, duke shkelur edhe Kushtetutën shqiptare, apo me Melonin në Itali. Kështu ka bërë me të gjithë liderët e tjerë, që në momente të caktuara ka bërë punën e “pastruesit” për gjëra të cilat në komunitetin europian kanë qenë të vështira të kaloheshin nga standardet e arritura nga opinioni publik. Domethënë, në shumë raste, ai ka qenë ajo “qendra septike” për të rregulluar punët e pista që nuk i bënin dot liderët botërorë. Prandaj ka mbijetuar. Kjo është e para.

Edhe kjo ishte rruga më normale, për arsye sepse Rama u përkrah në fillim si një njeri që vinte si artist, dhe çfarë do më shumë Shqipëria? Një njeri që do të sillte perspektivën liberale në Shqipëri. Kishte përkrahje nga grupe interesi, sidomos nga Sorosi; u paraqit si një njeri i të ardhmes, një njeri që nuk vinte nga një diktaturë e thellë, prandaj “jepini kohë” dhe ky bëri si të donte. Domethënë, ne kemi parë që komuniteti europian gjithmonë më tepër merrej me atletet e Ramës dhe me pikturat e tij, sesa fliste për Shqipërinë dhe të ardhmen e saj.

Kur situata gjeopolitike e vuri në vështirësi dhe çështja e Ukrainës u bë një çështje ekzistenciale për fatet e Europës, atëherë u pa që e gjithë veprimtaria e Ramës nuk ishte gjë tjetër veçse një fasadë. Dhe fasada, siç është treguar më përpara, me projektet për ndarjen e kufijve të Ballkanit, me projektet e “Ballkanit të Hapur” dhe së fundmi me bashkëpunimin që bëri me Vuçiçin për të treguar që rregullat e Bashkimit Europian duhen ndryshuar në favor të autokratëve të Ballkanit Perëndimor.

“Na fusni të përfitojmë nga fondet e tyre”, por ne jemi të margjinalizuar, për arsye se politikat tona në shumë raste nuk përkojnë me Bashkimin Europian. Domethënë, u arrit një pikë ngopjeje që e gjithë kjo maskaradë e krijuar nga mosvëmendja e interlokutorëve të Bashkimit Europian, në shumë raste edhe nga blerja e influencës te burokratët – dhe ne e kemi parë se si përfundoi Mogerini me shokë – ka qenë e dukshme. Këta kanë qenë të shumtë.

Domethënë, fiksimi i regjimit të Ramës nuk ka qenë integrimi në Bashkimin Europian, por blerja e influencës për të qenë i pranuar në këtë udhëtim, që për Ramën sa më shumë të zgjaste, aq më mirë ishte, për arsye sepse ai “integrim” nuk kishte asgjë të bënte me integrimin. Të gjitha investimet strategjike të tij janë jashtë Bashkimit Europian. I keni vënë re ku janë investimet strategjike? Edhe të fundit janë në Emiratet e Bashkuara.

Domethënë, ky nuk respekton asnjë rregull të një familjeje që dëshiron të afrohet. Si mund të bëjë ky integrimin europian? Edhe pallavrat e tij, që thotë se jemi shumë afër dhe kanë ndodhur pengesa të vogla, janë vetëm për të fshehur gjithë skenarin e tij që nuk ka të bëjë me Bashkimin Europian.

E ardhmja e tij është ose me vende si Vuçiçi, për të krijuar zona të errëta në Europë, që ata të jenë të pakontrolluar dhe ta kthejnë Ballkanin Perëndimor në një qendër të ndërthurjes së influencave të ndryshme, ose një projekt i cili, në kushtet e tanishme të ndarjes dhe problematikës europiane, të marrë atë të ashtuquajturin rol që e ka përmendur kohët e fundit: të jetë një urë midis vendeve arabe dhe Bashkimit Europian. Gjithmonë ky nuk shikon interesat e Shqipërisë, por interesat e tij, duke u bërë levë dhe duke treguar atë përrallën e radhës se çfarë do të arrijë për Shqipërinë.

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME