Deponi të stërmbushura, mbeturina të përziera dhe ndotje e tokës dhe e ujit nga hedhjet ilegale, janë imazhe të shpeshta në Kosovë, Shqipëri dhe Mal të Zi.
Larg standardeve të BE-së, këto tri shtete të Ballkanit Perëndimor, në një raport të organizatës ndërkombëtare, Lloyd’s Register Foundation, me seli në Londër, u listuan ndër dhjetë vendet e para në botë ku mbeturinat nuk ndahen në burim.
Sa herë del në fund të oborrit, Sërxhan Milliq përballet me pamjen e një deponie gjigante të mbeturinave, së cilës ia ndien erën para se ta shohë.
“S’di si të të them, jetojmë këtu sepse na duhet të jetojmë. Mund ta ndieni vetë erën”.
Milliq, 72-vjeçar, jeton në fshatin Palaj të Obiliqit, që shtrihet në zonën qendrore të Kosovës të ndotur nga termocentralet.
Por, pluhuri dhe tymi i qymyrit, tani nuk është shqetësimi i parë i përditshëm për të.
“Tërë këtë verë ishte shumë nxehtë, nuk kishte shi. Nuk guxuam t’i hapim dyert dhe dritaret nga era e keqe”, tregon pensionisti.
Deponia e Mirashit, rreth 500 metra larg shtëpisë së Sërxhanit, është vendi më i madh i hedhjes legale të mbeturinave në Kosovë, ku grumbullohen mbetje nga së paku gjashtë qytete, apo rreth 160 mijë tonë në vit.