Operacioni i Rusisë për largimin e forcave ukrainase nga rajoni perëndimor rus i Kurskut ka hyrë në fazën e tij finale, raportoi të enjten agjencia shtetërore ruse e lajmeve, “Tass”, duke e cituar zëdhënësin e Kremlinit, Dmitry Peskov.
Presidenti rus, Vladimir Putin, raportohet se e vizitoi Kurskun të mërkurën për herë të parë që nga koha kur forcat ukrainase morën nën kontroll një pjesë të atij rajoni në gushtin e vitit të kaluar, raporton gazeta “The Guardian”.
Lajmi vjen në kohën kur presidenti amerikan, Donald Trump, tha të mërkurën se një ekip negociatorësh nga vendi i tij janë nisur drejt Rusisë për bisedime rreth një armëpushimi të mundshëm me Ukrainën, pasi Kievi u pajtua me propozimin për uljen e armëve për 30 ditë.
Ukraina po vuan gjithnjë më shumë në fushën e betejës, duke humbur territore në pjesët lindore e jugore të vendit, ku zyrtarët thanë se tetë njerëz u vranë të mërkurën.
Rusia ka rimarrë nën kontroll territore edhe në Kursk, duke i shtyrë prapa forcat ukrainase që kishin nisur një ofensivë të befasishme në gushtin e vitit të kaluar.
Putini u shfaq në televizionin rus duke i vizituar trupat ruse në Kursk të mërkurën.
“Unë po llogaris në faktin se të gjitha detyrat ushtarake me të cilat ballafaqohen njësitet tona do të përmbushen dhe territori i rajonit të Kurskut së shpejti do të çlirohet plotësisht nga armiku” – tha presidenti rus.
Komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë ruse, Gjeneral Valery Gerasimov, tha se 430 trupa ukrainase janë kapur, ndërsa Putini i quajti ata “terroristë”.
Komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë ukrainase, Gjeneral Oleksandr Syrsky, la të kuptohej se disa forca ukrainase në Kursk ishin duke u tërhequr në “pozicione më të favorshme”./Nacionale