Komuna e Prishtinës e ka fajësuar menaxhmentin pas grevës së organizuar sot nga punëtorët e Kompanisë Rajonale të Mbeturinave “Pastrimi”, të cilët u mblodhën para objektit të Komunës për të shprehur pakënaqësitë e tyre, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Në një njoftim në Facebook, Komuna vlerëson se kjo protestë është e panevojshme, duke akuzuar menaxhmentin e kompanisë për “keqpërdorim të punëtorëve për qëllime politike”.
“Ka kohë që kryeqyteti është angazhuar për zgjidhjen e situatës së krijuar me mbeturinat. Prandaj, përderisa jemi duke bërë gjithçka për tejkalimin e kësaj gjendjeje, grumbullimi i punëtorëve të KRM ‘Pastrimi’ para objektit të Komunës është i panevojshëm. Keqpërdorimi i tyre për qëllime politike nga menaxhmenti është i papranueshëm dhe nuk duhet të vazhdojë”, thuhet në reagim.
Komuna ka thënë se ka propozuar një kontratë me vlerë 1.5 milionë euro me “Pastrimin” për mirëmbajtjen dhe pastrimin e hapësirave publike në qytet dhe pret që ajo të nënshkruhet nga ndërmarrja.
“Presim të nënshkruhet edhe nga kompania ‘Pastrimi’, me qëllim që punëtorët të rikthehen në vendet e tyre të punës dhe angazhimit në kryeqytet”, vijon reagimi.