Kreu i NATO-s, Mark Rutte, ka paralajmëruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës se Kina po ndërton ushtrinë e saj me një shpejtësi marramendëse, gati 200 herë më shpejt se SHBA-të.
Sekretari i përgjithshëm tha se Kina, në veçanti, po ndërton anije të pajisura me armë të sofistikuara shumë më shpejt se SHBA-të dhe aleatët e saj perëndimorë, gjë që e ka alarmuar atë.
Këto shqetësime të Rutte vijnë pasi presidenti i Kinës, Xi Jinping, organizoi një paradë të madhe ushtarake, ku morën pjesë presidenti i Rusisë, Vladimir Putin dhe diktatori i Koresë së Veriut, Kim Jong Un
Gjatë një samiti të mbrojtjes të NATO-s të mbajtur sot në Pragë, Rutte paralajmëroi se SHBA-të duhet të jenë shumë më të përgatitura ushtarakisht.
“Kur bëhet fjalë për ndërtimin e anijeve dhe marinën tonë dhe në veçanti për Marinën e SHBA-ve jam vërtet shumë i shqetësuar. Kina tani ka më shumë anije në det sesa SHBA-të, dhe ndërtimi i anijeve në SHBA nuk është në një nivel që mund të arrijë dot atë që po bën Kina për momentin”, tha Rutte.
Nick Childs, studiues i lartë për forcat detare dhe sigurinë detare në Institutin Ndërkombëtar për Studime Strategjike, që po organizon konferencën, e mbështeti shqetësimin e Rutte.
“Kapaciteti i Kinës për ndërtimin e anijeve është rreth 200 herë më i madh se ai i Shteteve të Bashkuara”, tha Childs për BBC-në, duke shtuar se industria amerikane e ndërtimit të anijeve po përballet me kosto të larta dhe vonesa të shumta.
Edhe pse tregu i ndërtimit të anijeve në Evropë është në zgjerim, Rutte tha se “na duhet shumë më tepër nëse duam kolektivisht të mbushim atë boshllëk.”
Marina e SHBA-ve është një forcë dominuese detare në Perëndim, por aktualisht është e shpërndarë në shumë fronte dhe ka shpenzuar shumë për të mbajtur flotën funksionale, të pajisur mirë dhe stafin e trajnuar.
Në dhjetor, Pentagoni bëri të ditur se marina kineze është më e madhja në botë, me një “forcë luftarake prej mbi 370 anijesh dhe nëndetësesh, përfshirë më shumë se 140 mjete të mëdha luftarake sipërfaqësore.”
Sipas Pentagonit, shumica e flotës së Kinës përbëhet nga anije moderne që janë të afta të kryejnë misione të ndryshme, përfshirë edhe ato nënujore. Kina pritet gjithashtu të shtojë në flotën e saj këtë vit një aeroplanmbajtëse të tretë.
Si përgjigje ndaj rritjes së fuqisë ushtarake kineze, SHBA-të kanë vendosur të fokusohen më shumë në rajonin Indo-Paqësor.
“SHBA-të po prioritizojnë parandalimin e luftës me Kinën në Paqësor. Së bashku, mund të krijojmë një ndarje pune që maksimizon përparësitë tona krahasuese në Evropë dhe Paqësor”, tha Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, për aleatët evropianë më herët këtë vit. (A2 Televizion)