Vjedhjet e grabitjet brenda shtëpive po u shkaktojnë pasiguri e humbje të mëdha qytetarëve të vendit.
Rastet më të shpeshta ndodhin kur shtëpitë mbesin pa përkujdesje, periudhë kjo që shfrytëzohet nga hajnat. Por ka edhe të atillë që pa iu trembur syri depërtojnë nëpër shtëpi edhe kur familjet ndodhen aty.
Me një rast të tillë dhe mjaft të frikshëm ishte përballur në korrikin e këtij viti një 81-vjeçar nga Gjilani.
Gjashtë muaj më pas lidhur më këtë rast është identifikuar dhe arrestuar i dyshuari i tretë.
Gazeta Sinjali mëson ekskluzivisht se ai është Admir Rasimi, 22 vjeçar. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Ndryshe, dy të dyshuarit e tjerë ishin arrestuar më parë – tash ndodhen në paraburgim për këtë rast janë Asim Idrizi me të dashuren e tij Egzona Qeriqi.
Ndryshe, në kohën kur kishte ndodh vjedhja, burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë patën bërë me dije se hajnat kishin hyrë me forcë në një shtëpi, duke tmerruar pronarin, i cili jetonte i vetëm.
Hajdutët ia kishin mësyrë shtëpisë së viktimës me plan të detajuar, në mënyrë që sado pak të kapin gjëra me vlerë.
Sipas informacioneve të atëhershme, e pazakonta e këtij rasti ishte se të dyshuarit që fillimisht e kishin ndalur energjinë elektrike dhe më pas patën depërtuar brenda.
I moshuari ishte trondit kur i kishte pa hajnat brenda shtëpisë, e madje pati pësuar edhe lëndime, pasi të njëjtit ia kishin marrë telefonin dhe viktimës nga ai moment i kishte rënë të fikët.
Gjatë kësaj periudhe, të dyshuarit kishin arritur ta kryenin vjedhje dhe më pas ishin larguar nga vendi i ngjarjes.