Ish-ambasadori Nebojša Vujoviç ka deklaruar se kancelari austriak Kristian Shtoker gjatë vizitës së tij të fundit në Beograd i ka përcjellë Aleksandër Vuçiçit qëndrimin e Bashkimit Evropian për mos-shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, çka do të nënkuptonte edhe dërgimin e ushtrisë në rrugë.
Sipas Vujoviçit, shërbimet perëndimore ishin të informuara për qëllimet e Vuçiçit, ndërsa mesazhet që ai ka marrë ishin “të ashpra, por të sjellshme” – që të mos përdorte forcë të tepruar ndaj studentëve dhe mediave, pasi kjo mund të niste një fushatë kundër tij dhe regjimit të tij në mediat dhe opinionin evropian.
Vujoviç thekson se presidentit të Serbisë i është bërë e qartë se do të mbajë përgjegjësi individuale për veprimet e tij dhe se BE nuk do të mund të jetë “mburojë” për të.
Ai shtoi se shqetësimi i Gjermanisë dhe Francës është se mund të humbasin kontrollin brenda vendit dhe të mos kenë mundësi të ndikojnë në marrëveshjet për Kosovën dhe Ohërin, si dhe në projektet për litiumin dhe “Jadar”, përveç marrëveshjes francezo–Vuçiç për energjinë bërthamore dhe mbeturinat.
“Mesazhi kryesor ishte – ji i kujdesshëm, mos bëj hapa të gabuara, ndihmo veten dhe përmbush atë që na ke premtuar. Para Vuçiçit është një skenar i ngjashëm me atë të Millo Dukanoviçit – nëse përmbush gjithçka që kërkohet, ka një dalje dhe shtëpi të sigurt jashtë vendit; nëse jo, përballë tij janë valë që askush nuk mund t’i kontrollojë. Evropa, ndërkohë, luan lojën vetëm për interesat e saj,” përfundoi Vujoviç.