Shefja e diplomacisë e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, u ka bërë thirrje partive parlamentare në Kosovë të bashkëpunojnë për ta zhbllokuar ngërçin politik në vend.
Duke folur në një konferencë për media në Prishtinë, në vizitën e saj të parë në Kosovë, Kallas tha se Bashkimi Evropian është i gatshëm ta mbështesë Kosovën, por liderët e partive politike duhet t’i lënë anash ndasitë dhe ta bëjnë prioritet të ardhmen e Kosovës.
Kosova nuk po mund të krijojë institucionet e saj të reja as tre muaj pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, për shkak se asnjë parti nuk e fitoi shumicën e nevojshme për të qeverisur e vetme.
Prej atëherë, deputetët janë mbledhur 20 herë në Kuvendin e Kosovës në përpjekje për konstituimin e tij, që është hap i nevojshëm drejt krijimit të qeverisë së re, por kanë dështuar vazhdimisht pasi kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, nuk po arrin t’i marrë 61 votat e nevojshme për t’u zgjedhur kryeparlamentare.