Pavarësisht neutralitetit të shpallur të Serbisë, ndërmarrjet ushtarake serbe furnizojnë me municione Forcat e Armatosura të Ukrainës, njoftoi zyra e shtypit e Shërbimit të Jashtëm të Inteligjencës Ruse (SVR).
“Pavarësisht ‘neutralitetit’ të shpallur nga autoritetet serbe, ndërmarrjet ushtarake serbe vazhdojnë të furnizojnë Ukrainën me municione. Për këtë përdoret një skemë që përdor certifikata false të përdoruesve përfundimtarë dhe vendeve ndërmjetëse. Sa i përket këtyre të fundit, më së shpeshti përmenden vendet e NATO-s, përkatësisht Çekia, Polonia dhe Bullgaria”, thuhet në deklaratë.
Shtohet se kohët e fundit në këtë skemë janë përdorur edhe vende afrikane, shkruan themoscowtimes.
“Kontributi i punonjësve të industrisë mbrojtëse serbe në luftën që nisi Perëndimi dhe për të cilën Evropa dëshiron që të përfundojë me ‘dështim strategjik’ të Rusisë, matet në qindra mijëra granata, si dhe miliona fishekë. Është pak e besueshme që një furnizim i tillë mund të justifikohet me ‘arsye humanitare’. Ai ka një qëllim të qartë – të vrasë dhe të çojë në paralizë personelin ushtarak rus dhe popullsinë civile të Rusisë,” theksojnë shërbimet ruse të inteligjencës.
“Duket se dëshira e punonjësve të industrisë mbrojtëse serbe dhe mbështetësve të tyre për të përfituar nga gjaku i popujve sllavë vëllezër i ka bërë këta njerëz të harrojnë plotësisht se kush janë miqtë dhe kush armiqtë e tyre. Rusia ka dhënë ndihmë serbëve shumë herë në momentet më të vështira të historisë së tyre,” nënvizohet në deklaratë.
“Të kujtojmë, për shembull, çlirimin e Serbisë nga Perandoria Osmane, parandalimin e katastrofave kombëtare gjatë Luftës së Parë Botërore, negociatat me pushtuesit fashistë dhe bashkëpunëtorët e tyre gjatë Luftës së Dytë Botërore, bombardimet e NATO-s në Beograd dhe tragjedinë në Kosovë”, përmbyllin rusët.
Serbia eksportoi 800 milionë euro (908 milionë dollarë) municion në Ukrainë nëpërmjet vendeve të treta që kur Rusia nisi pushtimin e saj në shkallë të plotë në vitin 2022.