Sllovenia dhe Gjermania kanë përgatitur një dokument non-paper në të cilin parashikohet që në procesin e para-anëtarësimit të mos ketë mundësi vetoje dhe bllokimi për shkak të çështjeve bilaterale me vendet fqinje.
Pohimi vjen nga ministrja e sllovene Punëve të Jashtme dhe Europiane, Tanja Fajon.
Fajon ka shpjeguar në një intervistë për agjencinë e lajmeve MINA se kjo është një nismë për të përshpejtuar të gjithë procesin e zgjerimit e atë të para-anëtarësimit, në mënyrë që të mos ketë shumë mundësi frenimi të fqinjëve për shkak të çështjeve dypalëshe dhe për të shfrytëzuar mundësinë e votimit me shumicë të cilësuar.
Duke folur për vendet e Ballkanit Perëndimor në tërësi, Fajon vuri në dukje se Sllovenia është e para në mbështetjen e zgjerimit në rajon.
“Këta janë fqinjët tanë, janë vende që kanë qenë gjithmonë pjesë e Europës në të kaluarën dhe do të jenë gjithmonë pjesë e saj dhe në të ardhmen. Kjo është arsyeja pse ne ofrojmë mbështetje për të gjithë në procesin e reformave. Është e rëndësishme për ne që të gjitha vendet të punojnë për t`u bërë një ditë anëtarë të BE-së”, tha Fajon.
Kryediplomatja sllovene nënvizoi se sa më shpejt t`i plotësojë një vend kushtet, aq më parë do të bëhet pjesë e Bashkimit Europian.
“Mendimi im është se çdo vend është individual. Vetë reformat dhe hapja dhe mbyllja e negociatave nuk janë shumë proces teknik, por më shumë politik”, pohoi Fajon.