“As pikë e as presje s’i heq asaj çka tha vëllau im Murati.”
5 marsi është data e fundit kushtetuese kur vendi duhet të ketë president.
“Dikush nga familja Jashari, është konsensusi automatik mes partive”, ishte ajo me çka e mbushi ditën e djeshme i dyti i qeverisë dhe kryediplomati, Glauk Konjufca, ndaj të cilit s’kaluan shumë orë për t’iu përgjigjur me kundër-konensus nga vetë familja Jashari.
Juristi dhe profesori universitar, Murat Jashari, u prononcua për media për të lajmëruar se nuk ka ambicie politike e as mendon që të ngjitet në karrigen e të parë të shtetit.
Orë më vonë, edhe vëllau i tij, Bekim Jashari, u lajmërua përmes një deklarimi me shkrim, që i qëndron “pikë e presje” pronononcim të të vëllasë.
Me këto dy deklarime, u rrëzuan pritshmëritë se familja e heroit më të madh të luftës të shqiptarëve të Kosovës do të ishin në karrigen e parë të shtetit.
Pa familjen Jashari për të zënë vëllimin e diskutimeve se “kush do të zgjidhet President?” tema u kthye te presidentja me mandat në skadim, Vjosa Osmani, e cila ka njoftuar synimin për mandat të dytë, por pa nënshkrime të siguruara dhe pa mbështetjen e prekshme të partisë Vetëvendosje.
Partia e themeluar nga ajo, Lista “Guxo”, ka qenë e mjegullt se si do të veprojë në raport me themeltaren e tyre: deputetë të kësaj partie, kanë shprehur “Po”-në e vullnetshme të tyre, përveç bashkëkryetares së saj, Donika Gërvalla.
Me ç’merr vesh gazeta Nacionale, rezistenca kyçe brendapartiake del të jetë vetë Gërvalla, figurë kjo e inkuadruar në pushtet nga Vjosa Osmani.
Ndryshe nga Gërvalla, bashkëkryetari Faton Peci, është mbështetës i Osmanit.
Sekretaresha e partisë “Guxo” mbrëmë në “Debat Plus” nuk mundi të thotë një Po/Jo të prerë se cili është qëndirmi i GUXO-s, por tha se “kryesia këto ditë del me qëndrim.”
Haxhi Avdyli, në anën tjetër, ishte mbështetës i paekuivokë.
Shefja e Grupit Parlamentar të partisë Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, u kontaktua nga mediat, dhe dy herë gjatë ditës i bëri rreth-rrotullimin një përgjigjegje të prerë se a (s’)janë për Vjosa Osmanin për presidente edhe një mandat të rinuar.
Nagavci veçse i pranoi “punën e mirë” të bërë nga Osmani, por përgjigje s’pati.
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca, deklaroi se ekziston “konsensus automatik” që presidenti i ardhshëm të vijë nga familja Jashari.
Sipas tij, emrat nga kjo familje kanë prodhuar “pritje pozitive” dhe pajtim të gjerë politik.
Nga familja Jashari reagoi juristi Murat Jashari, i përfolur si kandidat i preferuar i Vetëvendosjes. Ai mohoi ambiciet për postin.
“Nuk kam të drejtë morale as profesionale ta përdor emrin e familjes Jashari për poste publike”, deklaroi ai, duke shtuar se familja “u takon të gjithë shqiptarëve”.
Kryeministri Albin Kurti vizitoi së fundmi Rifat Jasharin, por pa dhënë detaje nëse u diskutua çështja e presidentit.
Ndërkohë, kryetari i Partia Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza, shprehu respekt për familjen, duke shmangur komentet për kandidatë konkretë.
