“Britania është gati të veprojë!”. Kështu deklaroi Sekretarja e Jashtme, Yvette Cooper pak orë pasi Donald Trump mbështeti idenë e rrëzimit të avionëve rusë që shkelin hapësirën ajrore të NATO-s.
Fjalët e forta nga Trump dhe Londra zyrtare vijnë pas një shkeljeje të hapësirës ajrore të Estonisë nga dy avionë luftarakë rusë MiG-31, të cilët qëndruan në ajër përreth Talinit për më shumë se 10 minuta.
Ministrja e Jashtme britanike dënoi Moskën për shkeljet që i cilësoi “provokuese dhe të pamatura”, gjatë një fjalimi në OKB.
“Siguria e Ukrainës është siguria jonë, dhe të gjithë ne varemi nga respektimi i Kartës së Kombeve të Bashkuara. Veprimet e Rusisë synojnë të minojnë demokracinë, të mbjellin konflikt dhe të përhapin destabilitet përtej kufijve të Europës. Në javët e fundit, kemi parë shkelje provokuese dhe të pamatura të hapësirës ajrore të NATO-s në Estoni, Poloni dhe Rumani, kundër të cilave NATO qëndron e fortë dhe ne do të jemi gati të veprojmë”, tha Cooper të martën në OKB.
Ajo iu drejtua drejtpërdrejt Putinit duke paralajmëruar se “veprimet e tij të pamatura rrezikojnë një përballje të drejtpërdrejtë të armatosur midis NATO-s dhe Rusisë”.
“Mos kini asnjë iluzion. Ne jemi gati të ndërmarrim të gjitha hapat e nevojshëm për të mbrojtur qiellin dhe territorin e NATO-s. Ne jemi vigjilentë. Ne jemi të vendosur. Dhe nëse do të duhet të përballemi me avionë që operojnë në hapësirën ajrore të NATO-s pa leje, atëherë do ta bëjmë. Mbretëria e Bashkuar qëndron pranë miqve tanë. Ne jemi të palëkundur në mbështetjen tonë për parimet e Kartës së OKB-së, për aleatët tanë të NATO-s dhe për Ukrainën”, deklaroi ajo.
Kjo deklaratë vjen pasi Trump u bëri thirrje vendeve anëtare të NATO-s që të “rrëzojnë” avionët rusë që shkelin hapësirën ajrore, duke thënë se anëtarët “nuk duhet të hezitojnë” përballë shkeljeve të tilla. Kur u pyet nëse Uashingtoni do t’i mbështeste ushtarakisht, Trump nuk dha përgjigje të qartë. “Kjo varet nga rrethanat”, tha Presidenti amerikan.