Japonia e ekzekuton “vrasësin e Twitter-it”, kishte vrarë nëntë njerëz

Japonia ka ekzekutuar një burrë që kishte vrarë nëntë persona në vitin 2017, hera e parë që nga viti 2022 që ky shtet e zbaton dënimin më të ashpër ndaj një të dënuari.

Vrasjet serike nga Takahiro Shiraishi, i njohur tashmë edhe si “vrasësi i Twitter-it”, e kishin tmerruar Japoninë dhe kishin nxitur debat për atë se si vetëvrasja po diskutohej në internet, raporton televizioni BBC.

Shiraishi, atëherë 30 vjeç, i kishte joshur viktimat – shumica gra të reja mes moshave 15 e 26-vjeçare – për të shkuar në banesën e tij, para se t’ua zinte frymën dhe t’i masakronte.

Vrasjet dolën në dritë në tetorin e vitit 2017, kur policia kishte gjetur pjesë trupash në qytetin Zama, afër Tokios, pasi ishin vënë në kërkim të njërës nga viktimat.

Shiraishi më vonë kishte pranuar se kishte vrarë nëntë viktima të vetëvrasjeve dhe kishte zbuluar se ishte njoftuar me to në rrjetin Twitter, që tani e mban emrin X.

Ai më pas u kishte thënë viktimave se mund t’i ndihmonte që të vdisnin dhe në disa raste kishte pretenduar se do ta vriste edhe veten bashkë me to.

Në profilin e tij në Twitter ndodheshin fjalët: “Unë dua t’i ndihmoj njerëzit që janë vërtet në dhimbje. Ju lus të më shkruani në çfarëdo kohe.”

Nëntë trupa të gjymtuar ishin gjetur në frigoriferë dhe kuti veglash, kur oficerët e kishin kontrolluar banesën e tij, e përshkruar nga mediat si “shtëpia e tmerreve”.

Përderisa prokurorët e kishin kërkuar dënimin me vdekje për të akuzuarin, avokatët e tij kishin kërkuar akuzë më të lehtë – “vrasje me pëlqim”, duke pretenduar se viktimat e tij e kishin dhënë lejen për t’u vrarë.

Avokatët gjithashtu kishin bërë thirrje që të akuzuarit t’i bëhej një vlerësim i gjendjes mendore.

Sidoqoftë, Shiraishi më vonë e kishte vënë në pikëpyetje versionin e ekipit të tij mbrojtës për ngjarjet dhe kishte thënë se i kishte vrarë viktimat pa pëlqimin e tyre.

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here