Jahja Koka prezanton planin për reformën në arsim, e cilëson sistemin aktual si dështim

Astrofizikani dhe profesori me famë ndërkombëtare, Jahja Koka, ka prezantuar programin e tij për një reformë të thellë në arsim, e cila është fryt i dy dekadash studimi dhe krahasimi të kurrikules arsimore të Kosovë me modelet perëndimore, kryesisht atë amerikan.

Koka e ka cilësuar sistemin aktual arsimor si “brutal” dhe joefikas, duke premtuar rezultate të prekshme brenda vetëm tre vitesh, nëse ai zgjidhet si asambleist në Asamblenë Komunale të Gjakovës.


​Paraqitja e programit të tij u bë gjatë një cikli ligjëratash të organizuara nga ish-studentët dhe miqtë e tij, si Dr. Agron Zajmi, Dr. Fatmir Emra dhe profesori Bardhyl Kepuska. Këto ligjërata synojnë të adresojnë krizën e thellë në arsimin kosovar, e cila është dëshmuar nga rezultatet e dobëta në testin PISA, ku nxënësit kosovarë renditen ndër më të fundit.


Koka theksoi se shumë nxënës kanë vështirësi në aftësi bazike si shkrimi, leximi dhe të kuptuarit e koncepteve themelore shkencore, përfshirë ato të matematikës në shkollën fillore.

​Gjatë fjalës së tij, Koka bëri një krahasim të hollësishëm mes sistemit arsimor të Kosovës, atij të ish-Jugosllavisë dhe modeleve perëndimore. Ai kritikoi metodologjinë e sistemit ekzistues, duke vënë në dukje se ajo është e konceptuar gabim dhe nuk përkon me kushtet lokale.

Koka shprehu gjithashtu kundërshtimin e tij të fortë ndaj mësimit gjithëditor, duke e konsideruar atë të ngarkuar, të pa pershtatshem dhe joefikas.


Koka, ish-deputet për dy mandate në Kuvendin e Kosovës.
Ai shpjegoi se arsyeja e largimit nga politika qendrore është degradimi i Parlamentit, i cili, sipas tij, është mbushur me persona “pa asnjë kualifikim” dhe që shfaqin sjellje “rruge”. Ai theksoi se bagazhi i tij shkencor dhe standardet e tij morale nuk mund të bashkëpunonin me këtë mjedis.

Për këtë arsye, ai ka vendosur të fokusohet në Gjakovë, duke kandiduar si asambleist në zgjedhjet komunale të 12 tetorit 2025, me qëllim për të kontribuar konkretisht dhe për të “kthyer dinjitetin në arsim” në qytetin e tij.

​Një pikë tjetër e rëndësishme e diskutimit ishte ndikimi i telefonave të mençur në arsim.

Dr. Agron Zajmi theksoi se telefoni është bërë një “konkurrent i drejtpërdrejtë” për mësuesin, dhe se mësuesit duhet ta bëjnë mësimin më tërheqës se sa telefoni.

Zajmi dha si shembull frymëzues një mësues të pensionuar, i cili brenda 20 minutash arriti t’i bënte nxënësit të këndonin, duke dëshmuar fuqinë e metodave inovative për të angazhuar nxënësit.

​Nisma e Jahja Kokës dhe debatet e nisura nga ekspertët theksojnë nevojën urgjente për ndryshime rrënjësore në arsimin kosovar, duke ofruar një sërë idesh dhe strategjish për të përmirësuar cilësinë e mësimdhënies dhe nxënies.
/Korrespodenti

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME