Izraeli nuk do t’i tërheqë forcat e veta nga kufiri mes Rripit të Gazës e Egjiptit, sipas një burimi izraelit, raporton televizioni CNN.
Ushtria izraelite supozohej të tërhiqej nga ajo pjesë në fillim të marsit, nëse do të zgjatej armëpushimi aktual, afati i të cilit skadon të shtunën, raporton televizioni amerikan.
Burimi ndau me televizionin CNN një porosi dërguar mediave izraelite të enjten, në të cilin thuhet: “Ne nuk do të dalim nga Korridori Filadelfi”, rrip 14-kilometërsh përgjatë kufirit Gaza – Egjipt.
“Ne nuk do t’i lejojmë vrasësit e Hamasit që të bredhin përsëri me automjete e pushkë drejt kufijve tanë dhe ne nuk do t’i lejojmë ata që ta fuqizojnë veten përsëri përmes kontrabandës” – thuhet më tej në atë mesazh.
Ushtria izraelite e mori kontrollin e këtij korridori në maj të vitit të kaluar dhe pritej të tërhiqej nga ai gjatë një faze të dytë të mundshme të marrëveshjes së armëpushimit. Nuk është e qartë nëse bisedimet për fazën e dytë të armëpushimit kanë filluar.