Izraeli është në gatishmëri për ndërhyrje të mundshme të SHBA-së në Iran, ndërsa autoritetet në Teheran përballen me protestat më të mëdha antiqeveritare në vite, thanë për Reuters tre burime izraelite të njohura me çështjen.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka kërcënuar vazhdimisht me ndërhyrje ditët e fundit, duke paralajmëruar udhëheqjen iraniane të mos përdorë forcë kundër protestuesve. Të shtunën, ai tha se Shtetet e Bashkuara ishin “të gatshme të ndihmonin”.
Burimet, të cilat morën pjesë në konsultimet e sigurisë në Izrael gjatë fundjavës, nuk sqaruan se çfarë do të thotë në praktikë “gjendja e gatishmërisë”. Kujtohet se Izraeli dhe Irani ishin të angazhuar në një luftë 12-ditore në qershor.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe Sekretari i Shtetit i SHBA-së Marco Rubio diskutuan mundësinë e ndërhyrjes së SHBA-së në Iran në një telefonatë të shtunën, sipas një burimi izraelit që ishte i pranishëm në bisedë. Një zyrtar amerikan konfirmoi se të dy burrat folën, por nuk zbuloi temat e ngritura.
Izraeli nuk ka treguar asnjë qëllim për të ndërhyrë në Iran, ndërsa vendi është tronditur nga protestat, me tensionet midis dy armiqve tradicionalë që mbeten të larta për shkak të shqetësimeve izraelite në lidhje me programet bërthamore dhe balistike të Teheranit.
Në një intervistë me Economist të botuar të premten, Benjamin Netanyahu tha se do të kishte pasoja të tmerrshme për Iranin nëse sulmonte Izraelin. Në një referencë indirekte ndaj protestave, ai shtoi: “Për gjithçka tjetër, mendoj se duhet të shohim se çfarë ndodh brenda Iranit”.
