Izraeli ka goditur sot qendrën kryesore të terroristëve të Hamasit në Doha të Katarit, në një kundërpërgjigje të shpejtë ndaj sulmit terrorist që ndodhi dje në Jeruzalem, ku gjashtë civilë u vranë prej dy terroristëve palestinezë.
Forcat ajrore izraelite goditën pasditën e sotme selinë qendrore të terroristëve famëkeq të Hamasit në Doha, ndërsa ende nuk dihet nëse ka të vrarë në mesin e lidershipit terrorist.
Për këtë sulm preciz, Izraeli mori përgjegjësinë e plotë dhe përmes një deklarate të përbashkët të Benjamin Netanyahut dhe Israel Katz, u njoftua se sulmi ndodhi për shkak të terrorit të djeshëm në Jeruzalem.
“Sot në mesditë, duke shfrytëzuar një mundësi operative, dhe në konsultim me të gjithë krerët e institucioneve të sigurisë dhe me mbështetjen e tyre të plotë, kryeministri dhe ministri i Mbrojtjes vendosën të zbatojnë direktivën e dhënë mbrëmë për IDF-në dhe Shin Bet. Operacioni u ekzekutua me saktësi dhe në mënyrë optimale”, thuhet në këtë njoftim.
Hamasi dje mori përgjegjësinë për sulmin terrorist ndaj një autobusi me civilë në Jeruzalem, që la të vrarë gjashtë persona. Por, Izraeli nuk la pa u kundërpërgjigjur mjaft shpejt, duke targetuar pikërisht kokën e Hamasit në Katar, aty ku strehohen me vite të tëra.