Izraeli ka dërguar me sukses në hapësirë satelitin e tij më të ri të zbulimit ushtarak, “Ofek 19”, njoftoi Ministria e Mbrojtjes izraelite.
Sateliti u lëshua të martën në orën 22:30 nga baza ajrore Palmachim, në Izraelin qendror.
Autoritetet thanë se “Ofek 19” hyri me sukses në orbitë, nisi transmetimin e të dhënave dhe kaloi testet fillestare të funksionimit.
Ministria e Mbrojtjes njoftoi se sateliti do të përdoret për qëllime zbulimi ushtarak, duke forcuar kapacitetin izraelit të vëzhgimit në distancë të gjatë në rajon. Në një përditësim të mërkurën në mëngjes, Ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, e përshkroi lëshimin e satelitit si një arritje të rëndësishme teknologjike dhe një mesazh të qartë për kundërshtarët.
“Lëshimi i satelitit ‘Ofek 19’ është një arritje e standardit më të lartë global. Është gjithashtu një mesazh për të gjithë armiqtë tanë: ne po ju vëzhgojmë në çdo kohë dhe në çdo rrethanë,” shkroi Katz në rrjetin social X.
Raportimet lokale treguan se lançimi shkaktoi panik në Tel Aviv dhe zonat përreth, pasi disa banorë e ngatërruan objektin fluturues me një raketë interceptuese. Video të publikuara në internet treguan qytetarë të shqetësuar dhe të pasigurt mbi atë që po ndodhte.
Ky zhvillim vjen në një kohë kur tensionet në rajon mbeten të larta, për shkak të konflikteve të vazhdueshme në Gaza dhe kërcënimeve nga grupe të mbështetura nga Irani, të cilat kanë lëshuar qindra raketa drejt Izraelit gjatë dy viteve të fundit.
“Ofek-19” është një satelit vëzhgimi me radar sintetik me aperturë dhe aftësi të avancuara, i projektuar për të ofruar imazhe me rezolucion të lartë për qëllime inteligjence dhe mbikëqyrjeje. Ai vjen pas “Ofek-13”, i lansuar në mars 2023, duke vijuar përpjekjet e Izraelit për të ruajtur kapacitetet e tij të avancuara të vëzhgimit hapësinor.