Pak pyetje kishte mbrojtja e Agim Çekut ndaj Daut Haradinajt, me kërkesë të së cilës edhe u ftua të dëshmojë në rastin “Veteranët”.
Duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit Ramë Gashi, Haradinaj tha se anëtarët e Komisionit Qeveritar, të akuzuar në këtë rast nuk janë përgjegjës për asnjë veteran të rrejshëm, duke ua vënë barrën zinxhirit komandues në nivel të zonave.
Ish-eprori UÇK-së në zonën e Dukagjinit, tha se sa ishte deputet e kishte kundërshtuar ligjin, që sipas tij krijoi konfuzion.
Mbrojtja pati disa herë kundërshtime në pyetjet e prokurorit special, Valdet Gashi, por nuk u aprovuan nga Gjykata, e cila lejoi Haradinajn të përgjigjet.
Ndonëse, Haradinaj tha se kontribuoi në dizajnimin e aplikacionit, kur u ballafaqua me një të tillë që e kishte nënshkrimin e tij, tha se nuk i kujtohet.
Tutje, Haradinaj, duke u përgjigjur në pyetjen rreth përcaktimit ligjor për të arrestuarit politik, iu referua kryeministrit Albin Kurti si mashtrues.
“Përpos kryeministrit Kurti që është veteran mashtrues, për të tjerët nuk më kujtohet”, tha Haradinaj.
Të akuzuarit shpesh dhanë komente gjatë dëshmisë, për çka kryetari i trupit gjykues Gazmend Bahtiri u tërhoqi vërejtjen, por jo edhe kur Shukri Buja i tha prokurorit që nuk ka njohuri për strukturën ushtarake.
Gjykimi ndaj Agim Çekut, Nuredin Lushtakut dhe të tjerëve do të vazhdojë edhe të mërkurën.
Apeli e ktheu rastin në rigjykim, pasi shkalla e parë i kishte liruar të gjithë të akuzuarit. /atvlive.tv