Ish deputetja e LDK-së, Melihate Tërmkolli, ka thënë se nuk i intereson e ardhmja politike e presidentes Vjosa Osmani, e cila thotë se gjithë veprimtarinë e ka me ambicie të sëmurë për pushtet.“Është veç e ardhmja e saj politike, unë s’dua të merrem me atë hiç, as nuk më intereson, pse duhet të më interesojë e ardhmja politike e një presidente që krejt veprimtarinë e vet e ka me ambicie më të sëmurë vetëm për pushtet, të shkelë gjithçka vetëm për pushtet, pse duhet të na interesojë neve që kemi dhënë krejt jetën për këtë shtet për ambicie të sëmura të dikujt, për ambicie pushtetare, jo, jo, këto janë të ulëta, janë veprime nga më të ulëta, nga kushdo që i bën, veprime që më së paku u kanë hije këtyre nivele t’i bëjnë këto”, thotë ajo në një intervistë për Gazeta Blic.
Por, Tërmkolli thotë se e mban besimi që shoqëria kosovare do të kthjellet dhe do të arrijmë si shtet aty ku e kemi vendin.Ajo shton se pa SHBA-të s’mund të kemi asnjë hap zhvillimi.
“Megjithatë, mua më mban besimi që ky popull do ta shohë realitetin të plotë dhe do të kthjellemi si shoqëri si shtet dhe do ta arrijmë aty ku e kemi vendin. Mos ta gënjejë dikush veten se Kosova mund ta bëjë një hap zhvillimi pa SHBA-të, sepse kemi dy tipa, disa që kanë thënë vetëm “yes” dhe disa që kanë thënë vetëm “no”, nuk është politika as veç “yes” as veç “no”, është proces, marrëveshje, mirëkuptim, luftë, qëndrim, guxim, dije, të gjitha këto e bëjnë një politikan të denjë për të ushtruar funksionin”, vlerëson ish deputetja.Sipas saj, s’mund të jemi shtet me kokën në vendet arabe e trupin në Evropë.
“Nuk është guxim grindja e përçarja mes vete. Ku i kemi arsimin, shëndetësinë e fushat tjera. a po shesim ne përralla se duam të integrohemi në BE, e në anën tjetër shkelim mbi çdo vlerë evropiane, s’mundemi ne kokën në Arabi e në islamizëm, e trupin në Evropë. Bota po thotë hapur që qeverisja e Kosovës po na gënjen, a ka turp më të madh”, deklaron Melihate Tërmkolli./Gazeta Blic/